Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka folur rreth ndikimit rus në Ballkan dhe mundësisë së ndonjë trazire në veri në kohën kur Rusia po kryen agresion ushtarak ndaj Ukrainës.
Haradinaj ka thënë se Serbia do të përballet me një reagim të ashpër në rast se ia mësyn Kosovës.
“Ne e kemi ditur për fat të mirë se kush është Rusia gjithmonë. Rusia ka influenca në rajon e në Serbi, por nuk është shumë prezent në Kosovë. Nëse ndodh diçka në veri, krejt bota e di se nuk bëhet pa Vuçiq dhe pastaj krejt bota e di se atë po e bën Vuçiq në shërbim ndaj Putin-it. Nëse nuk po ka mundësi se si me ia gjet zgjidhjen Rusisë, Perëndimi është bukur i zoti t’i gjejë zgjidhjen Serbisë, pasi këtë e ka bërë në vitin 1999. E unë e di që amerikanët nëse eventualisht një ushtar serb prek në territor të Kosovës, unë e di që bombardohet Beogradi sikur në vitin 1999. Edhe këtë e di lidershipi i Serbisë mjaft mirë. Po kaloi një oficer i tyre në territorin e Kosovës, do të bombardohet Beogradi, jo ndonjë zonë tjetër. Këtë e dinë mirë në Serbi dhe nuk guxojnë të luajnë”, tregoi Haradinaj.
Ai tha se Vuçiq e di mirë këtë dhe se nuk do t’i kalojë vijat e kuqe në raport me Kosovën.
“Vuçiq dhe ushtarakët e Serbisë e dinë fort mirë se çfarë i gjen”, tha ai.