“Nëse ushtarët serbë shkelin në Kosovë, bombardohet Beogradi!”/ Reagon Liri Loshi: Ramushi ia ftofë Serbisë - Mos na qit n’bela, aman!

Aktuale

“Nëse ushtarët serbë shkelin në Kosovë, bombardohet Beogradi!”/ Reagon Liri Loshi: Ramushi ia ftofë Serbisë - Mos na qit n’bela, aman!

Nga: N. Sh. Më: 10 mars 2022 Në ora: 01:06
Liri Loshi dhe Ramush Haradinaj

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj thotë se Aleksandër Vuçiq dhe Serbia nuk kanë guxim në këtë kohë të ndërhyjnë në veri për shkak të garancisë ndërkombëtare.

“Nëse do të ndodhte kjo, e gjithë bota do ta dinte se Vuçiq po e bënë këtë për shërbim të Rusisë. Nëse nuk po kanë mundësi se si me ia gjet zgjidhjen Rusisë, perëndimi është bukur i zoti me ia gjet zgjidhjen Serbisë, pasi këtë e kanë bërë edhe një herë në vitin 1999.  E di që amerikanët nuk lejojnë asnjë ushtarë serb të shkel në territorin e Kosovës. E  di që bombardohet Beogradi nëse ndodh diçka e tillë, sikurse në vitin 1999. Këtë e di lidershipi i Serbisë mjaftë mire. Po kaloi një oficer i Serbisë në territorin e Kosovës do të bombardohet Beogradi. Beogradi jo ndonjë territor tjetër”, tha sonte Haradinaj.

Pas kësaj deklarate të Haradinajt ka reaguar ish-mjeku i UÇK-së, Liri Loshi.

Ai thotë se Haradinaj ia paska “ftofë Serbisë”.

Në një shkrim të gjatë, Loshi shkruan se, nuk mundet Ramushi me fol në emër të NATO-s, e as në emër të shtetit.

Loshi thotë se komandant suprem i Forcave të Armatosura të Kosovës, është Vjosa Osmani.

Ai tutje shkraun se, mirë që është NATO, Policia e FSK-ja sepse nuk luftojnë ata që kanë hyrë në listat e veteranëve, as ata që e kanë drejtuar luftën nga Shqipëria dhe as komandantët e Zonave që kanë bërë pasuri milionëshe.

Reagimi i plotë:

Ramush Haradinaj: “Nëse ushtarët serbë shkelin në Kosovë, bombardohet Beogradi!”

Ia paska ftofë Ramushi Serbisë! Ani faleminderit, Ramush! E dimë që je trim dhe e dimë se nuk i priton fesateve. Por, nuk mundesh, bre burrë ti me folë në emër të NATOS, sepse NATO e ka Shtabin e vet dhe ti nuk je pjesë e atij shtabi. S’ka nevojë as në emër të shtetit me folë ish komandantët. Komandant suprem i Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës është presidentja, Vjosa Osmani. Nuk është as Ramushi, as Çaushi, as Burdushi! Edhe shyqyr që nuk janë.

Me çka e bombardojmë na Beogradin! Me bujashka?! Shyqyr që e kemi NATON, policinë e Kosovës, FSK-në dhe nja 10-12 mijë veteranë të vërtetë. Ata që kanë hy në listë për 170 euro nuk luftojnë. Nuk kanë luftu atëherë e nuk luftojnë as tash. As ata që kanë drejtu luftën nga Shqipëria, nuk luftojnë. As komandantët e zonave që kanë bërë pasuritë milionëshe, nuk luftojnë për Kosovën. Për pasuritë e tyre po luftojnë. Kur kanë hyrë në luftë shumë nga këta nuk panë pasë pulë para dere.  Tash jetojnë jetën e VIP-ve. Mos u mashtroni në ta. Besa besë, me i njoftë mirë si unë, e kuptoni se as atëherë nuk kanë luftuar. Nuk po them se nuk e kanë ba asnjë bam, por në momentet më të vështira janë kujdesur shumë për vete. Populli e di për secilin se ku kanë qëndruar.

A ju ka shkuar mendja ndonjëherë me pyet veten, a është vrarë ndonjë komandant zone në luftë? Nëse po, cili? Pra, nuk është vrarë asnjëri. Gjithë ata deshmorë, asnjë komandant zone! Kjo nuk është rastësi. Nëse më pyetni mua pse nuk jam vra, ju tregoj drejt. Sepse, i kam ndërmarrë të gjitha masat për mos me u vra. Masat kryesore kanë qenë me u largu sot nga vendi ku armiku vinte neser.

Kështu kanë bërë 99 për qind e komandantëve. Unë për vete asnjëherë nuk jam larguar vetëm. Po të largohesha vetëm, do të vritesha. Jemi larguar në grupe të mëdha, në atë mënyrë që edhe me u taku me armikun mos me u zanë të gjallë, por me ia kthy pushkën. Me ia kthy pushkën ushtrisë serbe, nuk bëhej ndonjë dëm i madh. Ne i gjuanim ata, ata na gjuanin neve. Pastaj ata ndalëshin. Pastaj ne marshonim larg prej tyre. Sa më larg aq më mirë. Krejt natën e kishim në dispozicion. Kush mbetej të nesërmen me e pritë ushtrinë serbe, më afër kish vdekjen se jetën. Njerëzit nuk donin të vdisnin. Edhe pse me vdekë kur mundesh me shpëtu. Nëse je luftëtar trim të vjen rendi prapë më e dëmtu armikun.

Kur të biesh më nuk ke rast më i ba dëm askujt. Duhesh me e kuptu kur është e jotja e kur asht e tij. Ka qenë një moment kur një brigadë e tërë që komamdohej nga një komandant i shquar, ka ardhur për disa ditë në terrenin e brigadës sime t’u spostu nga armiku.  Nuk besoj se ka pasur UÇK-ja një trim më të madh se atë. Ato ditë në rajonin tim nuk kishte sulme nga armiku. Por, kështu ishte lufta jonë. Nuk kishim na mjete me i dëmtu tenkat, as pragat! I kishim do por duhej me qenë fort afër tyre për me mujtë me i paralizu. E me qenë afër tyre ish rrezik me u vra.

Pra, Ramushi duhet me ditë çka flet e në emër të kujt flet. Diskursi i luftës nuk na konvenon tash. Serbia është drejtu kah Evropa, sepse në OKB e ka denuar invadimin e Rusisë në Ukrainë. Rrahja gjoks tash është e dëmshme. Më shumë i sjell dëm Kosovës se Sërbisë. Nuk ka luftë në Kosovë. Së pari Putini duhet me e marrë krejt Ukrainën dhe prapë nuk mjafton. Sepse, masi ta merr duhet me e majtë. Pastaj me provu me e sulmu ndonjë shtet tjetër qaty afër prapë. Kosovës nuk i vjen rendi.

Prandaj, Ramush, mos ia fut prej shpati. Tuboj qato pare t’qerasë e shtramo kapuçin, ashtu sikur e ke shtramu që 23 vjet. Sa ta kesh Amerikën dhe NATON mundesh me folë, se kush me dorë me t’prekë nuk guxon. Ama nuk asht mirë me e qitë mikun n’siklet! Hajt Ramush, mos ta ndien. Shko në Zvicër pusho pak e qetësohu. Harxho sa të duash, mos ta ndien. Veç në Ukrainë mos shko. Mos na qit n’bela, aman!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat