Konjufca takohet me ministrin e Drejtësisë së Danimarkës

Aktuale

Konjufca takohet me ministrin e Drejtësisë së Danimarkës

Më: 10 mars 2022 Në ora: 10:37
Nick Hækkerup dhe Glauk Konjufca

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga nënkryetarja Saranda Bogujevci dhe këshilltarët, ka pritur sot në takim ministrin e Drejtësisë të Mbretërisë së Danimarkës, Nick Hækkerup, i cili shoqërohej nga ambasadori jorezident për Kosovë, René Rosager Dinesen dhe bashkëpunëtorët.

Në takim, përveç situatës së sigurisë në rajon pas agresionit rus në Ukrainë, u diskutua edhe për thellimin e bashkëpunimit dhe partneritetit në fusha me interes të përbashkët mes Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës.

Me theks të veçantë u nënvizua nevoja e miratimit në Kuvend të marrëveshjes ndërkombëtare dypalëshe për dhënien në shfrytëzim të qelive për të burgosurit nga Mbretëria e Danimarkës, marrëveshje kjo e cilësuar si një gurthemel për bashkëpunimet e radhës.

Kryetari Konjufca, me këtë rast, shprehu mirënjohje për mbështetjen që Mbretëria e Danimarkës ka dhënë për çlirimin, zhvillimin, shtetndërtimin dhe procesin e integrimit evropian të Kosovës. Ai theksoi se Republika e Kosovës dhe Mbretëria e Danimarkës kanë ndërtuar marrëdhënie shumë të mira partneriteti dhe shprehu besimin se mbështetja e shtetit danez ndaj vendit tonë do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Nga ana e tij, ministri Hækkerup konfirmoi përkushtimin e Mbretërisë së Danimarkës për përkrahjen e Republikës së Kosovës në fusha të ndryshme zhvillimore, si dhe në rrugën evropiane dhe të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat