​Bislimi: Marrëveshja për shfrytëzim e qelive nga Danimarka, bazë solide për bashkëpunimet e radhës

Aktuale

​Bislimi: Marrëveshja për shfrytëzim e qelive nga Danimarka, bazë solide për bashkëpunimet e radhës

Më: 11 mars 2022 Në ora: 18:21
Besnik Bislimi dhe Nick Hækkerup

Zëvendëskryeministri për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti sot në takim Ministrin e Drejtësisë të Mbretërisë së Danimarkës, Nick Hækkerup, ku u bisedua mbi avancimin në procesin e miratimit në Kuvend të marrëveshjes ndërkombëtare dypalëshe për dhënien në shfrytëzim të qelive për të burgosurit nga Mbretëria e Danimarkës, marrëveshje kjo e cilësuar si një bazë solide për bashkëpunimet e radhës.

Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi gjithashtu progreset e arritura nga Kosova në fusha, si sundimi i ligjit, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe zhvillimin ekonomik.

Ministri Hækkerup vlerësoi angazhimin e Republikës së Kosovës dhe konfirmoi përkushtimin e Mbretërisë së Danimarkës për përkrahje në fusha të ndryshme zhvillimore, projekte të ardhshme të mundshme, si dhe në rrugën evropiane dhe të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Bislimi foli për objektivat e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të ardhmen evropiane, të cilat janë integrimi në Bashkimin Evropian, anëtarësimi në Këshillin e Evropës, si dhe nevoja e liberalizimit të vizave për qytetarët e vendit.

Sipas një komunikate, Republika e Kosovës dhe Mbretëria e Danimarkës kanë ndërtuar marrëdhënie të ngushta partneriteti, e cila do të vijojë të thellohet, në kuadër edhe të projekteve e bashkëpunimeve të ardhshme.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat