Pas një muaji në arrati për 91 kg drogë, arrestohet i famshmi i Dragashit Mexhait Qerimi

Aktuale

Pas një muaji në arrati për 91 kg drogë, arrestohet i famshmi i Dragashit Mexhait Qerimi

Më: 12 mars 2022 Në ora: 15:54
Mexhait Qerimi

Policia e Kosovës ka arritur të arrestoj narkodilerin e famshëm të Dragashit, Mexhait Qerimin, njeriu i cili arriti t’i ikë Policisë gjatë aksionit kundër drogës mbrëmjen e 9 shkurtit, ku u kapën 91 kg drogë në fshatin Konushefcë, të Podujevës.

Gazeta kishte raportuar ekskluzivisht për të kaluarën kriminal të Qerimit dhe përballje e tij me organet e drejtësisë.

Së bashku me Mexhait Qerimin gjatë ditës se djeshme është kapur edhe një person tjetër, të cilit u janë gjetur edhe 395 gram drogë.

“Dje më, 11.03.2022, hetuesit policorë nga Drejtorisë për Hetim e Trafikimit me Narkotikë-Prizren, kanë realizuar një operacion policorë ku janë kontrolluar dy lokacione. Policia ka arritur të lokalizojnë dhe të arrestojnë të dyshuarit: M.Q., (viti i lindjes 1976, mashkull kosovar) dhe A.Sh., (viti i lindjes 1978, mashkull kosovar). Tek i dyshuari A.Sh., policia dje ka arritur të gjejë edhe rreth 395 gr substancë narkotike që dyshohet të jetë marihuanë dhe dëshmi tjera relevante për rastin”, thuhet në njoftim e Policisë.

Një aksion i Policisë së Kosovës i koduar me emrin “Kamera”, goditi me 9 shkurt grupin kriminal të drogës, duke konfiskuar 91 kg drogë të llojit marihuana në fshatin Konushefcë, të Podujevës.

Sasi e drogës kjo që kap vlerën e 200 mijë eurove.

Qerimi kishte arritur t`i shpëtoj arrestimit duke i sulmuar me armë zjarri policët dhe goditi veturën e tyre.

Mexhait Qerimi në veturë e tij Audi A8 kishte ngarkuar drogën dhe ishte nisur për në fshatin Konushefc, ku më pas këtë sasi të drogës do ta vendoste në autobusin e linjës Kosovë-Austri, ky autobusë ishte pronë e të dyshuarit F.M.

Më pas, Qerimi kishte marrë përsëri çantat me drogë dhe i kishte vendosur në veturën e tij dhe ishte nisur për në Podujevë. I dyshuari F.M me automjetin e tij të tipit Golf IV me targa të Austrisë, ia kishte siguruar rrugën Qerimit.

Në momentin kur Qerimi kishte vërejtur zyrtarët policor fillimisht kishte përdoruar forcë duke e goditur me automjetin e tij veturën zyrtare të policisë dhe pastaj e kishte goditur zyrtarin policor.

Por, Qerimi nuk ishte ndalur me kaq ai kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policor dhe i njëjti kishte arritur të arratiset.

Policia nga ky aksion kishte konfiskuar veturën e Qerimit të tipit Audi me targa të Gjermanisë dhe një veturë Glof 4 me targa të Austrisë, dy vetura tjera dhe para me vlerë mbi 650 euro.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat