Shoqata e Transportit Rrugor të Udhëtarëve, do të dorëzojë sot padi për anulimin e vendimit të Ministrisë së Infrastrukturës lidhur me çmimoren për disa kategori të udhëtarëve dhe kërkesën për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit.
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Hysen Durmishi, të premten bëri të ditur se ka marrë vendim që çmimi i biletave të autobusit për disa kategori përgjysmohen nga çmimi aktual.
Në bazë të vendimit, kategoritë që përfitojnë nga përgjysmimi i çmimit të biletës së autobusëve janë fëmijët, studentët, invalidët e luftës, invalidët e punës dhe pensionistët.
“Duke pasur parasysh lëvizjet e çmimeve këtyre ditëve dhe në përputhje me kompetencat tona, kemi marrë vendim që të ndikojmë direkt në uljen e këtyre çmimeve për kategoritë që prek më shumë kjo gjendje”, ka thënë Durimishi.
Ndërsa të dielën, përmes një konference për media, Kryetari i Shoqatës së Transportuesve, Ruzhdi Kurtishaj i ka dhënë ultimatum dhe se nëse Qeveria nuk reflekton brenda 72-orësh, tha se do të ketë protesta.