Policia e Kosovës ka filluar me një aksion nëpër qytete të Kosovës në mëngjesin e ditës së hënë. Ajo se çka dihet deri tash është se janë arrestuar mbi 40 zyrtarë policorë, ndërsa aksioni është duke vazhduar.
Përmes një postimi në Facebook ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
“Në të kaluarën institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë nuk i janë lënë duart e lira për veprim. Në shumë raste ekzekutivi ka qenë pengesa kryesore në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Sot, kemi ende sfida mirëpo kemi vullnetin e hekurt për ta bërë vendin e jetueshëm për qytetarët”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka përshëndetur aksionin e Policisë së Kosovës dhe njëherit ka ofruar mbështetjen e qeverisë të cilën e përfaqëson.
“Përshëndes aksionin e përbashkët të institucioneve për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit! Mbështetja e qeverisë tonë në raste të tilla është e parezervë!”, përfundon shkrimin e saj ministrja, Haxhiu.