13 kandidatë ia kanë mësyrë garës për t’u bërë gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, në të cilën janë dy vende të lira.
Komisioni i posaçëm për shqyrtimin e kandidatëve për emërim në Gjykatën Kushtetuese, të hënën ka shqyrtuar emrat e 13 kandidatëve që kanë aplikuar për anëtar të Gjykatës Kushtetuese.
Kryesuesi i Komisionit, deputeti Adnan Rrustemi tha se ky komision aprovoi sot të 13 kandidatët dhe se është caktuar data e testimit me shkrim, më 29 mars prej orës 10:30.
Kandidatët për gjyqtarë janë: Flamur Hyseni, Safet Berisha, Bardh Bokshi, Emrush Kastrati, Selman Ymeri, Rexhep Gashi, Blerim Burjani, Etrur Maloku, Flutra Hoxha, Dukagjin Abdyli, Albert Avdiu, Rafet Haxhaj dhe Valon Hasani.
Rrustemi: 13 kandidatë në garë për t’u bërë anëtarë të Kushtetueses
“Janë dy pozita të lira për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese ku janë nominuar 13 kandidatë. Komisioni i posaçëm sot shqyrtoi aplikacionet një nga një për secilin kandidat, duke përfshirë dokumentet, përvojën dhe përgatitjen profesionale. Komisioni në fund miratoi të gjithë kandidatët, të 13-tit, për të kaluar në fazën tjetër të testit me shkrim dhe intervistës me gojë. U vendos që më 29 mars të zhvillohet testi me shkrim për kandidatët”, theksoi Rrustemi.
Deputeti Rrustemi tha se procesi i përzgjedhjes së dy gjyqtarëve në Kushtetuese kishte dështuar dy herë, teksa shtoi se si Komision janë në përpjekje që të bëjnë punën në mënyrë profesionale dhe të paanshme për zgjedhjen e tyre.
Rrustemi: Si Komision po mundohemi ta bëjmë në mënyrë profesionale dhe të paanshme
“Gjykata Kushtetuese ka kuorum, nuk ka pengesë për vendim marrje, por si do që të jetë,Kuvendi i Kosovës është institucion që ka përgjegjësi për të kompletuar dhe për të funksionalizuar tërësisht, edhe këtë institucion si të tjerët. Dy herë ka dështuar procesi i përzgjedhjes, kjo është hera e tretë që po zhvillohen procedurat, natyrisht si Komision i posaçëm jemi përpjekur maksimalisht për të qenë objektiv në vlerësim, por edhe në rekomandim për seancën. Zgjedhja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese kërkon 2/3 të deputetëve të pranishëm në Kuvendin e Kosovës. Si Komision po mundohemi ta bëjmë në mënyrë profesionale dhe të paanshme procesin e parë të selektimit dhe të rekomandimit”, tha ai.