(E plotësuar 18:10) - Zyrtarët policorë dhe doganorë të arrestuar sot, të përfshirë në 400 veprimtari kriminale
50 zyrtarët e arrestuar të hënën nga Policia e Kosovës ishin përfshirë në mbi 400 veprimtari kriminale të veprës penale të “marrjes së ryshfetit dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare”.
Hetimet, që nisën një vit më parë, ishin kundër 68 personave. Gjatë ditës në pikat kufitare “Qafë Prushë” dhe “Qafë Morinë” janë arrestuar 50 prej tyre, ndërkaq 18 prej tyre ndodhen në arrati.
Kryeprokurori Aleksandër Lumezi, aksionin e sotëm, e ka quajtur sukses të madh të institucioneve zbatuese të ligjit. Në një konferencë për media, Lumezi ka thënë se lufta kundër krimit dhe korrupsionit është në agjendën e vendit tonë në procesin e liberalizimit të vizave.
Lumezi: Në fillim kemi nxjerrë aktvendimin kundër 68 personave
“Gjatë fazës së hetimeve, kemi përdorur shumë mjete të hetimit dhe vëzhgimit të fshehtë, me qëllim që të sigurojmë prova të mjaftueshme për krijimin e dyshimit të arsyeshëm se është kryer një vepër penale. Fillimisht kemi pasur informacione se janë duke u kryer vepra penale të marrjes së ryshfetit në pikat doganore. Dhe duke marrë parasysh që nuk kemi pasur të drejtë të zbatojmë masat e fshehta për personat konkret, por i kemi lëshuar masat e fshehta vetëm për veprat penale. Në moment të zbulimit të identiteteve të kryerësve të veprave penale kemi nxjerrë aktvendimin për fillimin e hetimeve kundër 68 personave. Sot jeni njoftuar se janë arrestuar 50 zyrtarë shtetërorë, 48 nga Policia e Kosovës dhe dy nga Shërbimi Doganor i Kosovës”, ka njoftuar ai.
Më tej, Lumezi tha se për personat e tjerë që është nxjerrë aktvendimi për fillimin e hetimeve janë në arrati.
Lumezi: Personat tjerë janë në arrati
“Ndërsa, personat tjerë ndaj të cilëve është nxjerrë aktvendimi për fillimin e hetimeve janë në arrati, disa edhe nuk janë shtetas të Republikës së Kosovës. Por, në këtë drejtim jemi duke bashkëpunuar edhe me autoritetet e Republikës së Shqipërisë për të siguruar informacione edhe prova, të cilat do të na shërbejnë në procedurë penale në Kosovë, apo në Republikën e Shqipërisë. Sot janë arrestuar 50 persona dhe nga ata persona janë konfiskuar telefonat mobil të cilët i ka poseduar, të cilat do të na shërbejnë më vonë për procedurë penale”, ka shtuar ai.
Ai u zotua se nuk do të lejojnë asnjë zyrtar shtetëror që të jetë mbi ligjin, pasi sipas tij, ata që i shkelin ligjet do të përballen me drejtësinë.
Kryeshefi ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj tha se ky aksion ka nisur qysh në orët e hershme të mëngjesit në Gjakovë dhe Prizren.
Edhe ai ka cekur se këtij operacioni i ka paraprirë një hetim rreth njëvjeçar nën dyshimin për përfshirje në vepra të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policor.
Hodaj: Mbi 400 veprimtari kriminale
“Bazuar në këto veprime të suksesshme hetimore, IPK në kuadër të operacionit “Pika”, ka arrestuar sot 48 zyrtarë policor. Duke përfshirë dy togerë policor, pesë rreshter si dhe dy zyrtarë doganor. Që të gjithë të dyshuar për vepra penale për “keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje të ryshfetit”. Nga realizimi i veprimeve hetimore nga hetuesit e IPK-së, ekziston dyshimi i bazuar se të arrestuarit në këtë rast janë involvuar në qindra herë, apo mbi 400 veprimtari kriminale të veprës penale të marrjes së ryshfetit dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. Të arrestuarve me aktvendim të prokurorit u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë dhe ndaj të njëjtëve është dhënë rekomandimi për suspendim ndaj detyrave të punës si pjesë e procedurave administrative”, ka deklaruar Hodaj.
E, drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti tha se në këto pika kufitare janë zëvendësuar zyrtarët policorë dhe se puna është duke u zhvilluar në mënyrë normale. Ai nuk ka dhënë shifra të përgjithshme të zyrtarëve policorë të korruptuar, duke thënë se ka pasur raste.
Mehmeti: Një organizatë që është në gjendje që të luftojë të keqën brenda vetvetes është organizatë e shëndoshë
“Jemi duke ndërmarrë veprime operacionale, qoftë me Inspektoratin, qoftë me Prokurorinë, qoftë nga Policia vet. E keni parë që pjesë e operacionit ka qenë edhe Policia e Kosovës, pjesë e shkëmbimit të informacioneve ka qenë edhe Policia e Kosovës. Një organizatë që është në gjendje që të luftojë të keqën brenda vetvetes është organizatë e shëndoshë. Ajo pse disa individë janë korruptuar, ose pse disa individë në vitin 2018... ka pasur raste gjithmonë. Por këto janë veprimet që ndërmerren, kur dikush korruptohet, arrestohet dhe procedohet. Ajo që ndërmarrim ne në aspektin e brendshëm janë trajnimet, janë disiplinimi, inspektimet, çështjet të cilat ndërlidhen me etikën”, ka deklaruar Mehmeti.
Mehmeti shtoi se Policia e Kosovës do të vazhdojë përkushtimin në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj ligjore.
Mehmeti: Më të sigurt jeemi sot, se që kemi qenë dje
“Më të sigurt jemi sot, se që kemi qenë dje. Pse? Sepse dje kanë qenë 50 ose 48 zyrtarë policorë të cilët janë dyshuar për korrupsion, mitmarrje ose krim të organizuar ose gjëra të ngjashme. Fakti që policia edhe institucionet e shtetit e kanë fuqinë, mundësinë dhe vullnetin për të luftuar korrupsionin, nënkupton që ne duhet të ndjehemi sot më mirë se dje”, ka thënë ai.
Realizimi i aksionit “Pika” është përkrahur edhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë.
Drejtori i përgjithshëm i policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, tha se më të sigurt jemi sot, se që kemi qenë dje, pas arrestimit të 50 zyrtarëve policorë gjatë aksionit “Pika” në rajonin e Gjakovës dhe Prizrenit.
“Më të sigurt jemi sot, se që kemi qenë dje, sepse dje kanë qenë 50 zyrtarë policor që janë dyshuar për korrupsion ose për mitmarrje. Fakti që policia edhe institucionet e shtetit e kanë fuqinë dhe mundësinë dhe vullnetin për të luftuar korrupsionin. Duhet të ndihemi më mirë sot, se dje”, tha Mehmeti.
Ndër të tjerash, në një konferencë të jashtëzakonshme të prokurorisë, Mehmeti tha se hetimi ka filluar para një viti.
“Nuk është ndjenjë e mirë kur korruptohet polici. Ky hetim ka filluar para një viti. Janë arrestuar zyrtarë që janë të korruptuar”.
Mehmeti po ashtu theksoi se puna në pikat kufitare po vazhdon dhe çdo gjë po shkon ashtu siç duhet pas zëvendësimit me zyrtarë të tjerë policorë.
“Siguria është në nivelin maksimal, janë zëvendësuar zyrtarët policorë dhe çdo gjë po shkon ashtu siç duhet të shkojë. Të arrestuar janë zëvendësuar me zyrtarë të tjerë policorë”.
Prokurori i Shtetit e konfirmon: 50 policë të arrestuar nga aksioni “Pika”, disa janë në arrati
Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, ka konfirmuar se 50 policë janë arrestuar gjatë operacionit “Pika” që u zhvillua sot në rajonin e Gjakovës dhe Prizrenit.
Në një konferencë të jashtëzakonshme, Lumezi tha se në mesin e 50 të arrestuarve, dy janë zyrtarë të doganës.
“Pas një periudhe hetimore të gjatë, njëvjeçar saktësisht nga muaji maj, kemi filluar hetimin e këtij rasti në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës. Me urdhër të kryeprokurorisë speciale, kemi angazhuar dy prokurorë në hetimin e kësaj çështje penale dhe gjatë hetimeve kemi përdorur shumë mjete të hetimit dhe vëzhgimit të fshehtë që të sigurojmë prova të mjaftueshme për krimin e dyshimit të arsyeshëm se është kryer vepër penale. Kemi pasur informata se janë duke u kryer ryshfete në pikat doganore”.“
Në momentin e zbulimit të identiteteve kemi nxjerr aktvendimin për fillimin e hetimeve. Janë arrestuar 50 zyrtarë shtetërorë, 48 nga policia e Kosovës dhe dy doganierë, ndërsa persona të tjerë ndaj të cilëve është nxjerr aktvendimi për fillimin e hetimeve janë në arrati, disa nuk janë shtetas të Kosovës, por në këtë drejtim po bashkëpunojmë me autoritetet e Shqipërisë për të siguruar prova”, tha Lumezi.
Tutje, ai tha se nga të arrestuarit janë konfiskuar telefona mobil.
“Telefonat e konfiskuar mobil do të na shërbejnë në procedurë penale”, tha Lumezi.
Nis konferenca e Prokurorit të Shtetit në konferencë për operacion “Pika”.
Prokuroria thërret konferencë për media pas Operacionit “Pika”
Prokuroria do të mbajë konferencë të jashtëzakonshme lidhur me operacionin e koduar me emrin “Pika”, i zhvilluar në rajonin e Gjakovës dhe të Prizrenit.
Nga ky aksion janë arrestuar 50 zyrtarë policorë.
“Pjesëmarrës në këtë konferencë do të jenë përfaqësues nga Prokurori i Shtetit, Inspektorati Policor i Kosovës dhe Policia e Kosovës.
Konferenca do të mbahet nga ora 15:00, në objektin e Prokurorit të Shtetit, kati tretë, salla e takimeve të KPK-së”, thuhet në njoftim.