Fitim Shishani, ish-kryeshef i Inspektoratit Policor të Kosovës është shprehur i befasuar për të mirë se si aksioni i përbashkët i Policisë, IPK-së dhe Prokurorisë Speciale, i quajtur “Pika”, nuk është dekonspiruar, përkundër hetimeve që u tha se kanë zgjatur një vit.
Shishani tha në Frontal të T7 se duhet konstatuar se “aksioni duket të jetë i realizuar mirë”.
“Siç u proklamua, kanë zhvilluar hetime për një vit dhe mund t’ju them se jam shumë i befasuar në aspektin pozitiv se si një aksion me kaq kohëzgjatje të hetimeve nuk është dekonspiruar”, tha ai.
Më herët, Shishani tregoi se ka pasur raste kur aksioni është dekonspiruar dhe ka dështuar për shkak të rrjedhjes së informacioneve.
“Kur hetimet vazhdojnë në një periudhë të gjatë, ka momente që kanë ndohë që aksioni është dekonspiruar”, tha ai.
“Është shumë interesant që në një periudhë njëvjeçare ky rast të shkojë kaq mirë”, theksoi ish-kreu i IPK-së.
Shishani sheh se Policia është e interesuar t’i luftojë dukuritë negative brenda saj.