​Kurti-Wigemark diskutojnë për vendosjen e 92 pjesëtarëve të EUROGENDFOR-it në Kosovë

Aktuale

​Kurti-Wigemark diskutojnë për vendosjen e 92 pjesëtarëve të EUROGENDFOR-it në Kosovë

Më: 14 mars 2022 Në ora: 18:04
Foto nga vendi i ngjarjes

Vendosja e përkohshme në Kosovë e njësisë policore të specializuar rezervë të forcës policore shumëkombëshe, Forca Evropiane e Xhandarmerisë EUROGENDFOR, ishte tema e takimit të sotëm ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe shefit të EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark.

Kjo njësi e përbërë prej 92 pjesëtarëve nga Portugalia (42), Franca (28) dhe Italia (22), që do të zbarkojë përkohësisht në Kosovë gjatë javëve të ardhshme, do të përforcojë kapacitetet e Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it (NJPS) dhe do të mbështesë EULEX-in për përmbushjen e detyrave, si reagues i dytë i sigurisë në Kosovë, nëse është e nevojshme duke pasur parasysh mjedisin e sigurisë.

Në këtë takim të përbashkët me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, u bisedua edhe për situatën aktuale dhe vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe misionit EULEX në sundimin e ligjit.

Kryeministri Kurti ritheksoi vendosmërinë e Qeverisë dhe përkushtimin institucional për të forcuar e avancuar sistemin e drejtësisë dhe luftën kundër krimit e korrupsionit.

Ndërsa Wigemark rikonfirmoi përkushtimin dhe gatishmërinë e EULEX-it për vazhdimin e përkrahjes për institucionet për forcimin e rendit dhe ligjit, si dhe për të kontribuar në sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat