Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, gjatë një vizite sot në qendrën grumbulluese për pemë e perime “Agro Celina” në Xërxë të Rahovecit, ka deklaruar se do të ketë deri 100 për qind rritje të mbështetjes për perimtarë që kultivojnë perime në sera dhe 85% për perimtarët që kultivojnë në fushë të hapur.
Gjatë kësaj vizite, ministri Peci ka njoftuar fermerët dhe bujqit mbi masat e reja mbështetëse në kuadër të programeve të këtij viti.
“Gjatë mandatit tim si ministër i Bujqësisë do të përkushtohem maksimalisht që Programi për Pagesa Direkte dhe Programi për Zhvillim Rural, ta plotësojnë njëri-tjetrin, duke krijuar kështu një zinxhir vlere të qëndrueshëm, duke ndjekur rrugëtimin e produktit nga toka në tryezë, duke luftuar informalitetin dhe duke asistuar në sigurimin e tregjeve për prodhimet bujqësore”, tha ministri Peci.
Ai po ashtu ka njoftuar agrobizneset dhe fermerët e këtij rajoni se për një periudhë të shkurtër kohore do ta nënshkruajë Programin për Zhvillim Rural – Grante për vitin 2022, në të cilin ka theksuar se janë duke i parë modalitetet e duhura për rritje të mbështetjes.
Ndryshe, qendra grumbulluese “Agro Celina” është përfituese e grantit për zhvillimin e hortikulturës nga Projekti i Bankës Botërore përmes fondeve të Ministrisë së Bujqësisë me vlerë prej 145.770 euro.
Po ashtu, kjo pikë grumbulluese eksporton prodhime të freskëta bujqësore në Gjermani, Suedi, Francë, Belgjikë, Zvicër e njëherësh ka të kontraktuar fermerë nga i gjithë territori i Kosovës.