​Haradinaj: Më parë është dashur të hyjë në burg kryeministri se ata që po i ndjek sot

Aktuale

​Haradinaj: Më parë është dashur të hyjë në burg kryeministri se ata që po i ndjek sot

Më: 15 mars 2022 Në ora: 15:29
Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se kryeministri është befasuar me rritjen e çmimeve, ani pse udhëheq me vendin. Ai ka thënë se për shkak të mos përgjegjësisë në këtë situatë, në burg duhet të hyjë vet kryeministri.

Në seancën e jashtëzakonshme për rritjen e çmimeve, Haradinaj tha se kjo qeveri e pa përgjegjshme do të ishte kujdesur që të mos refuzojë projektet e energjisë.

Haradinaj: Dy projektet serioze na kanë rreshtuar në anën e kundërt

“Dy projektet serioze na kanë rreshtuar në anën e kundërt. Refuzimi i investimit termocentral na ka pozicionuar në anën e kundërt. Refuzimi i gazsjellësit njëjtë na ka bërë. Çfarë do të kishte bërë një qeveri edhe po të ishte kjo situatë de facto? Nuk ka dikush që nuk e ka kuptuar që një zhvillim në siguri në Evropë do të ketë implikime dhe do ta shpall një luftë ekonomike. Të gjithë e kanë ditur dhe të gjithë iu kanë druajtur”, ka deklaruar ai.

Veç tjerash, Haradinaj ka komentuar edhe rritjen e çmimit të vajit, ku tha se me këtë është befasuar pikërisht Kurti i cili udhëheq me vendin.

Haradinaj: Merreni me mend ju jeni befasuar se ju kanë rrit çmimet në vendin e juaj

“Merreni me mend ju jeni befasuar se ju kanë rrit çmimet në vendin e juaj. Jeni zgjuar një mëngjes dhe e keni gjetur litrën e vajit 3.49. Në shtetin tonë, ku udhëheq ti. E pastaj që me mbulua atë marre je duke i ndjekur disa, je ka dëshiron me i shti në burg disa. Më fal, por për të hyrë në burg më përpara është dashur që të hyjë kryeministri se ata që po i ndjek sot. Sepse asnjë përgatitje paraprake nuk e ke bërë se si të tejkalohet kjo krizë”, ka thënë ai.

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kërkuar rritjen e pagave dhe rritjen e pensioneve.

Haradinaj: Rriti krejt pensionet

“Rriti krejt pensionet, të gjitha pensionet potenciale. Nuk ka pension në Kosovë më që duhet të mbes në atë shifër që ka qenë. Pastaj për ata që kanë mbetur të pa përfshirë në këtë rritje, që janë të pa punë, që nuk kanë kontrata, që nuk kanë të hyra, edhe për ata jepni pako emergjente financiare. Qoftë 100 euro për familje, qoftë i një versioni të caktuar të shpejt. Këto janë masa që mund të merren në pak ditë”, ka përfunduar Haradinaj.

Në debatin parlamentar ku po diskutohet për rritjen e çmimeve, ai ka thënë se përkrahin rezolutën e opozitës për tu ballafaquar kriza në vend.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat