Hoxha: Kurti të veprojë dhe jo të konstatojë çka është bërë keq tash e 20 vjet

Aktuale

Hoxha: Kurti të veprojë dhe jo të konstatojë çka është bërë keq tash e 20 vjet

Më: 15 mars 2022 Në ora: 22:23
Eliza Hoxha

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ka thënë që mendon që Qeveria Kurti duhet të veprojë dhe jo të konstatojë çka është bërë keq tash e 20 vjet.

Hoxha, në Rubikon ka thënë që në seancën e jashtëzakonshme për rritjen e çmimeve është kërkuar përgjegjësi nga qeveria.

“Përgjegjësia kërkohet nga qeveria dhe ne nuk po duam me ia zënë frymën qeverisë, por ne sot kemi kërkuar debat, në fakt LDK-ja ka kërkuar dhe i jemi bashkangjitur”.

Tutje Hoxha ka thënë që e sheh si problem faktin që qeveria është, sipas saj, shumë e vonuar në veprime.

“Është shqetësuese që vazhdoj me e pa një qeveri – një mazhorancë, që zakonisht konstaton çështje dhe i krahason ato me kontekste të tjera, por që në veprim është gjithmonë e vonuar. Këtë e kemi parë edhe në raport me pandeminë dhe e kemi parë edhe në raport me krizën energjetike, ku nuk kishte reagim as në aspektet bazë që duhej bërë me prodhuesit. Tek në dhjetor, kur u mbështetëm për muri, patëm një seancë të jashtëzakonshme me thirrjen që ne duhet si deputetë të votojmë për reduktime”.

“Kriza tjetër që erdhi, pajtohem që është e ndikuar nga jashtë e nuk dua të vë faj dhe sot kjo seancë besoj që edhe nga partitë e tjera opozitare, por edhe nga ne që jemi bërë bashkë, nuk është bërë për të bërë politikë dhe për të vënë faj, por është bërë për thirrje për reagim sepse zakonisht po reagojmë në pasojë dhe jo të jemi të hershëm që të veprojmë që pasojat pastaj të jenë më të vogla”, tha ajo.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat