Shemsedin Dreshaj, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka folur për krizën e rritjes së çmimeve në Kosovë.
Ai tha se për krizën energjetike të gjithë, pozitë e opozitë, kanë përgjegjësi, por që sipas tij, qeveria mund të akuzohet për mungesë veprimi.
“Nuk mund të akuzohet sot pozita me krizën që e ka vendi, të gjithë kemi dozë të përgjegjësisë brenda, por ajo për të cilën mund të akuzohet pozita është për mungesa e veprimit nga tetori. Të gjithë parametrat ndërkombëtarë kanë paralajmëruar përkeqësim të situatës energjetike, ekonomike e materiale në vendet e veta. Ne nuk jemi sjellë përgjegjshëm, si pozitë, nuk kemi veprime praktike. Kemi edhe situatën ku fillojnë të paraqiten problemet e ne reagojmë pasi të paraqiten ato”, ka thënë Dreshaj.
Sipas tij, lidershipi vlerësohet në kohë krizash, e jo në kohë të qetë.
“Në kohë krizash vlerësohet dhe matet lidershipi, jo kur është koha e qetë dhe e mirë dhe punët shkojnë si duhet”, ka shtuar ai.
“Klithma e opozitës nuk është duke ju thënë po gaboni, por nuk po veproni, nuk po dëgjoni”, vazhdoi Dreshaj.
Dreshaj foli edhe për subvencionimin e bujqve, ku tha se ky subvencionim do të duhej të ishte bërë më herët, pasi tani veçse kanë përfunduar të mbjellat.
“Nëse mendohet subvencionimi në bujqësi dhe në grurë, ajo duhet të bëhet në muajin qershor, shtator, tetor, subvencionimi i djeshëm mbi 200 për qind i bie të stimulohetn ata që veç e kanë kryer mbjelljen, nuk mund të mbjellësh tash”, tha ai.
Ai tha se seanca e sotme ishte për t’i dhënë sugjerime qeverisë, në mënyrë që të kenë një të ardhme më të mirë.
“Kriza e çmimeve është pandemi e çmimeve, dhe në pandemi kurrë s’ka pasur opozitë, edhe seanca e sotshme ka qenë që të sugjerojmë, t’i japim opinione qeverisë në emër të qytetarit që të kemi një të nesërme më të mirë”.