​Përfundon seanca, avokati i Haradinajt kërkon që i mbrojturi i tij të shpallet i pafajshëm

Aktuale

​Përfundon seanca, avokati i Haradinajt kërkon që i mbrojturi i tij të shpallet i pafajshëm

Më: 16 mars 2022 Në ora: 06:43
Gjykimi i Haradinajt

(E plotësuar 16:35) - ​Në fund të deklaratës së tij përmbyllëse, avokati i Nasim Haradinajt, Toby Cadman i ka bërë thirrje trupit gjykues që t’i trajtojë të gjitha dëshmitë e prezantuara në proces gjyqësor dhe të arrijë në përfundim se i mbrojturi i tij është plotësisht i pafajshëm.

Avokati i ish-nënkryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka thënë se në asnjë prej pikave të aktakuzës prokuroria nuk ka paraqitur prova të mjaftueshme për të vërtetuar elemente të veprës penale.

Me këtë, mbrojtja e Haradinajt e ka përfunduar paraqitjen e deklaratës përmbyllëse para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Cadman: Nasim Haradinaj është i pafajshëm për secilën nga akuzat

“Në secilën prej pikave të aktakuzës nuk janë paraqitur prova të pamjaftueshme për të vërtetuar elementet e veprave penale. Dhe ne ju kërkojmë juve trupit gjykues të shikoni dëshmitë në tërësi dhe me kujdes dhe të arrini në përfundimin se ai është i pafajshëm për secilën prej pikave të aktakuzës. Haradinaj ka besim të madh në aftësinë tuaj për ta bërë një gjë të tillë dhe unë kam besim të madh që ju do t’i trajtoni të gjitha dëshmitë që janë paraqitur edhe nga prokuroria edhe nga mbrojtja në mënyrë të barabartë”, ka thënë Cadman.

Përveç avokatit të Haradinajt, deklaratën përmbyllëse e ka paraqitur edhe mbrojtja e Hysni Gucatit nga e cila gjithashtu janë kundërshtuar të gjitha pikat e aktakuzës.

Deklaratat përmbyllëse janë dëgjuar pasi kanë përfunduar paraqitjet e provave dhe dëshmitarëve nga të dy palët.

Në Hagë do të vazhdojë edhe nesër procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së ndërsa të premten ish-krerët e OVL-UÇK do të flasin para trupit gjykues.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Gucati e Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

***

Avokati i Nasim Haradinajt, Toby Cadman ka deklaruar se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk është në gjendje të vërtetojë asnjë nga pikat e akuzave me të cilat ngarkohet ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Cadman është duke e paraqitur deklaratën përmbyllëse të mbrojtjes para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara në Hagë dhe ka thënë se e tërë çështja e ZPS-së është e mangët dhe e tillë duhet të hidhet poshtë.

Avokati i Haradinajt ka thënë se ka mungesë të plotë provash për të vërtetuar pretendimet kundër të mbrojturit të tij.

Cadman: Nuk hetime për kryesit serb të masakrave në Kosovë

“Nëse dikush meriton drejtësi, dhe të gjithë meritojnë drejtësi, prokuroria e ka pranuar përmes zonjës Pumper, duhet pranuar që nuk janë ndjekur penalisht këtu kryesit serbë. Kjo do të thotë që nuk ka hetime në vazhdim për masakrat e shumta të kryera nga serbët në Kosovës, forcat ushtarake dhe paramilitare dhe disa prej tyre janë edhe në njoftimet e Interpolit. Disa prej tyre janë madje krenarë që janë shtytës të këtij procesi këtu”, ka thënë Cadman.

Ai ka pasur kritika për ZPS-së edhe lidhur me nxjerrjen e dokumenteve për çka ka theksuar se ai dhe Haradinaj nuk i kanë pasur dokumentet e duhura dhe si pasojë e kësaj nuk e kanë pasur mundësinë e duhur për t’i bërë kundër pyetjet.

Sipas tij mungesa e dhënies së dokumenteve përbën pengesë për një gjykim të drejtë. Cadman ka kundërshtuar të gjitha pikat e aktakuzës.

Cadman: ZPS s’është në gjendje të provojë akuzat ndaj Haradinajt

“Nuk ka pasur kanosje apo pengim, apo ndërhyrje, nuk ka pasur as hakmarrje. Nuk duhet harruar që në asnjë fazë prokuroria nuk ka identifikuar asnjë dëshmitar, i cili do të ishte frikësuar apo kërcënuar si rezultat i veprimeve të zotit Haradinajt, apo bashkakuzuarit Gucati, ZPS nuk ka identifikuar se kundër kujt janë hakmarrë dhe akuzat i ka bërë në terme të përgjithshme. Shkurtimisht, ne i përmbahemi qëndrimit që ZPS nuk është në gjendje të provojë asnjërën nga pikat e aktakuzës”, ka thënë avokati i Haradinajt.

Ai ka thënë se të gjitha veprimet e Nasim Haradinajt lidhur me dosjet e arritura në OVL-UÇK ishin bërë me qëllim të interesit publik.

Cadman: Çështja e ZPS-së duhet të hidhet poshtë

“Nuk ka absolutisht asnjë provë që vërteton se dokumentet ishin të fshehta, se ishin sekrete... E tërë çështja e ZPS-së është kaq e mangët sa që duhet të hidhet poshtë”, ka thënë Cadman.

Avokati i Haradinajt, i cili ka mbështetur në tërësi parashtrimet paraprake të avokatit të Hysni Gucatit, ka thënë se ZPS-ja ka refuzuar të nxjerrë detajet e hetimit të vet që lidhen me rrjedhjen e informacionit.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga persona ende të panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Gucati e Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Mbrojtja thotë se Gucati duhet të shpallet i pafajshëm

Avokati i Hysni Gucatit, Jonathan Elystan Rees i ka thënë trupit gjykues se ish-kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së duhet të shpallet i pafajshëm. Në deklaratën e tij përmbyllëse ai ka propozuar që Zyra e Prokurorit të Specializuar të pranojë që ky proces gjyqësor të ndërpritet. Avokati ka thënë se nuk ka prova të pranueshme që vërtetojnë akuzat me të cilat ngarkohet Hysni Gucati.

Avokati i Gucatit ka thënë se synimi i ish-kryetarit të OVL-UÇK ka qenë bërja publike e bashkëpunimit në mes të ZPS dhe Serbisë duke shprehur shqetësimin e tij mbi anshmërinë e prokurorisë.

Rees: Gucati duhet të shpallet i pafajshëm

“Masa ligjore që propozojmë ne është që ZPS të pranojë që të ndalohet ky gjykim. Të pushohet ky gjykim, për këtë arsye ne kërkojmë që të gjitha vendimet të jenë për vendime pafajësie, pse procedura gjyqësore të pushohet në bazë të nenit 6”, ka thënë avokati Rees.

Rees ka thënë se ende nuk janë zbardhur rrethanat në të cilat materialet e paketës 3 kanë rrjedhur nga ZPS dhe janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK.

Lidhur me këtë, ai ka thënë se nuk përjashtohet mundësia që këtë ta ketë bërë një anëtar i Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Rees: S’përjashtohet mundësia që dikush nga ZPS t’i ketë dhënë dosjen një personi të jashtëm

“ZPS nuk mund të sillte prova pozitive për të demonstruar për të dëshmuar në një mënyrë ose tjetër se si ndodhi që ky informacion doli nga zyrat e ZPS-së. Në raportin që është parashtruar nuk gjejmë asnjë lloj prove për asgjë sigurisht që ZPS nuk mund të përjashtonte atë që është përfundim i dukshëm, duke pasur parasysh natyrë ne dokumentit dhe qasjen e tij, pra nuk përjashtojmë dot mundësinë që dikush nga ZPS që kishte qasje në këtë dokument të mund të ja ketë dhënë në mënyrë të qëllimshme një pale të jashtme atë. Shkalla e hetimit të kryer nga ky organ është e paqartë”, ka thënë Rees.

Ndër të tjera, Rees ka thënë se ZPS nuk ka kërkuar nga mediat që të largojnë nga publikimi materialet e dosjeve të cilat i kishin botuar.

Rees: ZPS nuk është shqetësuar që dosjet qarkullojnë ende në media

“Ne e dimë që zotëri Berisha (gazetar) dhe kolegët ende kanë kopje të këtyre dokumenteve, ne i kemi pyetur për këtë, dimë që ka kopje të dokumentacionit që janë ende të botuar në internet, nuk kanë kërkuar që të hiqen këto informacione apo nuk kanë dërguar asnjë lloj urdhri ZPS apo kërkese te faqet e internetit për të hequr këtë informacion. Ata kanë shprehur pak interes ose aspak interes apo pak ose aspak shqetësim për ta analizuar nëse ky material që i është vënë në dispozicion OVL-UÇK-së, pastaj shtypit, dhe ne nuk kemi parë asnjë hollësi për të bërë një lloj vlerësimi nëse ZPS ka bërë ndonjë përpjekje apo jo”, ka thënë ai.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Gucati e Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës./

***

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po vazhdon paraqitja e deklaratës përmbyllëse nga mbrojtja, në gjykimin ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.

Avokati Jonathan Elystan Rees ka thënë se nuk ka asnjë provë të pranueshme që tregon se Gucati e ka penguar punën e zyrës së Prokurorit të Specializuar. Rees gjithashtu ka thënë se prokuroria nuk ka vërtetuar që dosjet nuk përmbajnë materiale të cilat do të ndikonin në integritetin dhe paanshmërinë e ZPS-së.

Në ditën e dytë të paraqitjes së deklaratës përmbyllëse, avokati i Gucatit ka thënë se ZPS nuk ka vërtetuar që shkëmbimet e letrave me autoritetet serbe nuk përmbajnë parregullsi.

Rees: Mungesa e kompetencave të ZPS-së jashtë Kosovës e ka vënë atë në rrezik të ndërhyrjes nga Serbia

“ZPS për shkak të mungesës së kompetencave që ka jashtë Kosovës dhe që nuk ka kompetenca në Serbi, që është shteti që ka kryer një luftë agresive në Kosovë në ’98 deri në 2000, që është periudha kohore që është në juridiksionin e kësaj gjykate, pra kjo e vendosë ZPS-në në një rrezik të ndërhyrjes dhe manipulimit në duart e autoriteteve serbe. Ajo që pranuat ju të nderuar gjykatës, që provat për veprimet e parregullta, të cilat do të ndikonin në paanshmërinë e veprimeve të ZPS-së dhe integritetit të tyre është një shqetësim legjitim i zotit Gucati, por ne nuk kemi mundur ta shtjellojmë atë në këtë gjykim”, ka thënë Rees.

Ai ka shtuar se prokuroria nuk mund të thotë se e ka vërtetuar që tri dosjet nuk përmbajnë asnjë provë të parregullsisë që do të mund të ndikonte në hetimet dhe integritetin e tyre.

Rees: Gjykatësit të shikojnë përmbajtjen e shkëmbimeve në mes ZPS-së e Serbisë

“Ata (ZPS) nuk kanë treguar asnjë provë të nderuar gjykatës, ne nuk kemi mundur ta shtjellojmë këtë çështje, sepse nuk na është dhënë përmbajtja e plotë e atyre dosjeve dhe prokuroria nuk ka mundur të vërtetojë përtej dyshimti të arsyeshëm që nuk ka prova të veprimeve të parregullta në këtë drejtim. Ata do të mund ta bënin këtë vetëm nëse do t’ju tregonin juve të nderuar gjykatës përmbajtjen e ndërveprimeve që kanë bërë ata, dhe jo vetëm kërkesat për asistencë që u kanë drejtuar autoriteteve serbe, por që ju të shikonit edhe përmbajtjen e këtyre ndërveprimeve dhe çfarë si kanë reaguar ata ndaj kërkesave, çfarë përgjigje kanë dhënë dhe si e kanë bërë këtë. Kjo do të ishte e vetmja mënyrë që prokuroria të provonte përtej dyshimit të arsyeshëm se në ato dosje nuk ka pasur asgjë që të ndikonte në pavarësinë dhe integritetin e hetimeve të tyre”, ka thënë Rees.

Derisa ka folur për pikën e katërt të aktakuzës, atë të veprimit të hakmarrjes, avokati Rees ka thënë se nuk ka prova që tregojnë se është shkaktuar dëmtim.

Rees: Bashkëpunimi ndërmjet ZPS-së e Serbisë është i njëanshëm

“Prokuroria nuk ka vërtetuar që veprimet e të akuzuarit janë drejtuar për të bindur ca persona që të mos bëjnë deklarata për DhSK-në dhe për të dhënë informacione apo hetime në të ardhmen. Pra ne mendojmë që përfundimi që mund të nxirret është ndryshe nga kjo që sapo u tha, dhe siç e thamë në mënyrë të përsëritur, synimi konkret i të akuzuarit ishte thjesht për të ekspozuar nivelin e bashkëpunimit ndërmjet ZPS-së dhe Serbisë dhe që ZPS, siç e thotë i akuzuari, është e njëanshme”, ka thënë Rees.

Ai ka thënë se Hysni Gucati ka shprehur shqetësimet dhe kundërshtimet e tij për gjykatën në mënyrë publike dhe këtë e ka bërë që disa vjet më parë.

Ndërsa lidhur me pikën e parë të aktakuzës, që është pengimi i personave zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, avokati Rees ka thënë se nuk ka asnjë provë që thotë se është nxitur ose ka pasur përpjekje nga i akuzuarit që të përdorë kërcënimin apo kanosjen.

Rees: Nuk ka prova të pranueshme që Gucati ka penguar punën e ZPS-së

“Nuk kemi asnjë provë të pranueshme sa i takon pengimit të punës së ZPS-së. Çfarë detyrash zyrtare nuk ka qenë në gjendje të përmbushë ZPS si rezultat i veprimeve të zotëri Gucatit, nuk kemi asnjë provë sa i takon pengimit të kontrollit, sekuestrimit, nuk kemi gjithashtu asnjë lloj pengimi, ndonjë provë që dëshmon pengimin e arrestimit, nuk kemi dëgjuar asnjë dëshmi të pranueshme nga kjo gjykatë e cila ka të bëjë me pengimin e punës së prokurorisë nga veprimet e të akuzuarit”, ka thënë Rees.

Deklaratat përmbyllëse po dëgjohen pasi kanë përfunduar paraqitjet e provave dhe dëshmitarëve nga të dy palët.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Gucati e Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

***

Ka filluar seanca e gjykimi p ndaj ish-kryetarit të OVL UÇK-së, Hysni Gucatit, si dhe ndaj nënkryetarit, Nasim Haradinaj.

Gjatë ditës së djeshme është mbajtur seanca e parafundit e Gucatit dhe Haradinajt.

Dhomat e Specializuara të Speciales në Hagë kanë bërë të ditur se edhe sot do të ketë seancë gjyqësore ndaj ish-kryetarit të OVL UÇK-së, Hysni Gucatit, si dhe ndaj nënkryetarit, Nasim Haradinaj.

Në njoftimin e Speciales thuhet se seanca do të fillojë nga ora 09:30 dhe do të mbahet deri në ora 16:00.

Tutje, deklarohet se edhe sot do të vazhdohet me deklaratën përmbyllëse.

Gjatë ditës së djeshme është mbajtur seanca e parafundit e Gucatit dhe Haradinajt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat