Rritja e rasteve të dhunës gjatë pandemisë sipas presidentes Vjosa Osmani duhet të jetë një alarm për të gjithë dhe se ky është një problem dhe plagë e madhe e shoqërisë në vend.
Osmani gjatë fjalimit të saj në konferencën dy ditore të dhjetëvjetorit të Javës së Gruas u shpreh se qasja në drejtësi duhet të jetë në nivel ku gratë mbrohen, ndërsa dhunuesit dënohen.
E para e shtetit u zotua se do të bëjnë projekte edhe për mbrojtjen e grave në Medvegjë dhe do të sigurojnë një jetë më të mirë për to.
Osmani: Qasja në drejtësi të jetë në nivel deri në momentin ku gratë mbrohen dhe dhunuesit dënohen
“Në qoftë se vazhdojmë ta shohim rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje dhe të sigurohemi që mekanizmat e mbrojtjes se grave janë shumë më funksionale nga institucionet e sigurisë ato që janë pra hallka e parë ku gratë lajmërohen deri tek institucionet e drejtësisë ku shqiptohen pastaj dënimet për dhunuesit deri te institucionet që merren me çështjet sociale ku merren pastaj me mbrojtjen e gruas, fëmijës...Nuk mjafton që këtyre grave t’iu jepet një vend në strehimore ato duhet disi të vazhdojnë me jetën e tyre, të gjejnë një vend pune, të fuqizohen ekonomikisht. Pra, qasja në drejtësi të jetë në nivel deri në momentin ku ato mbrohen, ku dhunuesit dënohen”, tha ajo.
Tutje, Osmani tha se dënimi i dhunës mbi bazat gjinore duhet të jetë i njëjtë me atë për aktet e terrorizmit.
Osmani e pyetur për gratë e Medvegjës, tha se do angazhojmë projekte në drejtimin e mbrojtjes së tyre dhe të sigurohemi që ta përmirësojmë jetën e tyre.
Osmani: Gratë nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci përballen me shumë shkelje të cilat ne sot nuk i njohim
“Gratë nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci përballen me shumë shkelje të cilat ne sot nuk i njohim, i kemi njohur para 20 e disa viteve sepse kemi jetuar njëjtë në depresion ku të drejtat dhe liritë themelore tona në veçanti të grave nuk janë respektuar dhe kjo nënkupton që ka edhe pasoja të mëdha ekonomike. Shpesh kam qenë edhe në Preshevë dhe në Medvegjë në veçanti tani ka masa të reja represioni ku shteti serb përdor mjete administrative për spastrim etnik sepse qëllimin e ka që këto komuna t’i spastroj në tersi në mënyre që pastaj të mos ketë fare shqiptarë aty”, tha Osmani.
Instituti Kombëtar Demokratik (NDI), ka organizuar këtë konferencë dyditore në mbështetjen e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Konferencë kjo që u mbajt të mërkurën me temën “Në mbrojtje të demokracisë: Gjithëpërfshirja ka rëndësi”.