Avokati: Polici i akuzuar për marrje ryshfeti është i pafajshëm

Aktuale

Avokati: Polici i akuzuar për marrje ryshfeti është i pafajshëm

Më: 17 mars 2022 Në ora: 18:38
Foto ilustrim

Argjend Sefa, avokati i Ahmet Kosumajt, i njërit prej policëve të arrestuar për marrje ryshfeti, ka thënë që klienti i tij është deklaruar që është i pafajshëm.

“Siç jeni në dijeni për rastin e arrestimit – 48 policë dhe dy zyrtarë doganorë – njëri nga ta është i mbrojturi im, i caktuar nga Oda e Avokatëve. në momentin kur kemi shkuar në inspektoriatin policor, ka deklaruar që është i pafajshëm. I mbrojturi im ndihet i pafajshëm dhe nuk qëndrojnë asnjëra nga akuzat për të cilët pretendon Prokuroria”.

Sefa në një intervistë në Info Magazine, ka thënë që aktakuzat që rëndojnë nuk janë vetëm për klientin e tij, por janë në mënyrë të përgjithshme të cekura për të gjithë të akuzuarit.

“Aktakuzat që rëndojnë janë vetëm për klientin tim, por janë në mënyrë të përgjithshme të cekura për të gjithë të akuzuarit pasi Prokruria nuk ka bërë specifikimin e veprave penale për secilin veç e veç. Gjashtë aktakuza rëndojnë tek të gjithë pa u specifikuar. I mbrojturi im është i pafajshëm dhe nuk e pranon një gjë të tillë”.

“Të njëjtën gjë, as Prokuroria me rastin e kërkesës për caktimin e paraburgimit, nuk ka mundur të ofrojë asnjë provë e cila dëshmon që i mbrojturi im ka kryer vepër penale. Përveç kësaj, i mbrojturi im në mars të vitit 2021 është transferuar në pikën doganore, pasi ka qenë zyrtar policor në zonën e gjelbër dhe të akuzohet për pjesëmarrje dhe organizim të grupit kriminal për një periudhë që sapo u transferua është shqetësuese dhe rënduese”.

Tutje Sefa tha që Prokuroria nuk ka dhënë asnjë provë specifike në lidhje me akuzat.

“Shqetësimi jonë, i të gjithë avokatëve mbrojtës në seancën dëgjimore është që nuk na është ofruar asnjë provë që argumenton atë që është përshkruar në kërkesën për caktimin e paraburgimit nga prokurori. Sipas tij, përshkuhet se këta kinse kanë marrë disa herë para për të kaluar qytetarët nga Shqipëria pa bërë kontrollin e duhur duke mos bërë verifikimin në kundërshtim me masat për parandalimin e COVID-19. Prokuroria përshkruan vetëm atë që është në kamerat e sigurisë, ku dyshohet se merr diçka, por nuk specifikon se çka ose si, por në mënyrë të përgjithshme”, tha ai.

Ndryshe në një aksion të Inspektoratit Policor të Kosovës, që është kryer me urdhër të Prokurorisë Speciale, më 14 mars u arrestuan 48 policë dhe dy zyrtarë doganorë, thanë autoritetet e drejtësisë.

Të arrestuarit dyshohen për veprat penale: “marrja e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat