Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Burim Meta, ka thënë se ai nuk e ka kundërshtuar vetëm një pikë të Kodit Civil të Kosovës, por ka kërkuar që të bëhet plotësim-ndryshim në katër pika.
Sipas Metës, Kodi Civil është njëri ndër dokumentet më të rëndësishme pas Kushtetutës, teksa tha se aty ka potencuar që të futet edhe statusi i qendrave për punë sociale, e t’u vihet theks i veçantë këtyre institucioneve, që sipas tij, janë të vetmet që janë profilizuara për ofrimin e shërbimeve sociale.
Ai tha se ka votuar kundër, sepse disa plotësim-ndryshime që ai i ka propozuar nuk janë marrë parasysh.
“Kam kërkuar që të rregullohet statusi i prindërve vetushqyese në rregullimin e dokumentacionit dhe gjëra të tjera për të udhëtuar jashtë e brenda”.
“Si pikë tjetër, që kam kërkuar që të bëhet plotësim-ndryshim ku kam thënë se në të kundërt vota ime do të jetë kundër është edhe kodi i propozuar për lejimin e martesave të gjinisë së njëjtë. Unë votova kundër vetëm pse këto pika nuk ishin të përfshira në projekt-Kodin Civil”, ka thënë Meta në “Info Magazine”.
Tutje, ai tha se Kodin Civil e vlerëson si një të padrejtë, duke e pasur parasysh, sipas tij, ekzistencën dhe krijimin e familje.
Meta, më tej tha se njerëzit nuk cenohen nga komuniteti LGBTI, por sipas tij, heteroseksualiteti e mundëson vazhdimin e jetës.
“Ne nuk cenohemi, por mendimi im është se heteroseksualiteti e mundëson vazhdimin e jetës sonë. Për mua familja ka komponentin e shenjtërisë”, ka thënë Meta.