Profesori, Musa Limani ka kritikuar faktorin ndërkombëtar e veçanërisht Bashkimin Evropian për qasjen ndaj Serbisë.
Limani tha se BE-ja e ka bërë Serbinë “fëmijë të lazdruar”.
“Pa u kry marrëveshja me Serbinë është e pamundur që Kosova të bëhet anëtare e BE-së dhe e NATO-s. Deri më tani, edhe me fajin tonë, por edhe faktori ndërkombëtar, e sidomos BE-ja e ka bërë fëmijë të lazdruar Serbinë. Prandaj, tani duhet të kërkojmë, siç ka bërë presidentja kërkesë ndaj SHBA-së për anëtarësim në NATO, pra të kërkojmë që SHBA dhe BE të bëjnë presion ndaj Serbisë për marrëveshje me Kosovën”, ka vlerësuar Limani.
Ai më tej, ka thënë se procesi i anëtarësimit në NATO është kompleks dhe i kushtueshëm, por sipas tij, lufta Rusi – Ukrainë do të ndikojë në procedurat për anëtarësim në NATO dhe në BE.
“Është një procedurë dhe një kosto e cila kushton për anëtarësim në NATO, mirëpo duke marrë parasysh edhe zhvillimin ekonomik dhe Bruto Produktin Vendor nuk mbulohet, prandaj është e pa realizueshme nëse shikohet si faktor vetëm çështja materiale. Por, momenti aktual që është krijuar në përmasa ndërkombëtare me luftën Rusi – Ukrainë ka ndryshuar edhe çështja e procedurave… Këtë procedurë do ta shpejtojnë edhe Bashkimi Evropian edhe NATO për vendet që aspirojnë të anëtarësohen. Mendoj që do të përshpejtohen procedurat edhe Kosovën”, ka shtuar Limani.