Presidentja Osmani: Ja pse Rusia mund të nxitë tensione në Ballkan

Aktuale

Presidentja Osmani: Ja pse Rusia mund të nxitë tensione në Ballkan

Më: 17 mars 2022 Në ora: 23:59
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për mediumin britanik “Chanel 4 News” ka komentuar situatën e luftës në Ukrainë, dhe mbështetjen që Kosova e ka dhënë ndaj popullit ukrainas.

Osmani tha se ajo çfarë bota po sheh në Ukrainë është pikërisht ajo se çfarë populli i Kosovës ka parë dhe përjetuar në vitin 1998-99.

“Ajo çfarë po shohim është pikërisht ajo se çfarë kemi përjetuar në vitin 1998-99 kur Kosova dhe populli i saj kanë qenë viktima të gjenocidit, krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit. Dhe, fatkeqësisht kjo situatë nuk po përmirësohet”, është shprehur Osmani.

E para e shtetit tha se Kosova jo vetëm që u solidarizua me Ukrainën, por u bë edhe shteti i parë në rajon që iu bashkua sanksioneve të BE-së dhe ShBA-së karshi Rusisë, teksa përmendi edhe gatishmërinë për të strehuar dhe ndihmuar refugjatët dhe gazetarët ukrainas.

Tutje, Osmani tha se përderisa Serbia ka zgjedhur që të qëndrojë me Rusinë duke mos i vënë sanksione, mund të ketë përpjekje që t’i vazhdojë politikat e saja hegjemonike që ndërlidhen me “Serbinë e Madhe”.

“Kjo është duke reflektuar kërcenim tek ne në dy aspekte. E para është se ka shqëtësim në rritje në rajonin tonë se Rusia mund të përpiqet që të nxitë tensione dhe konflikte në regjionin tonë dhe ta shpërqendrojë vëmendjen  e NATO-s dhe komunitetit ndërkombëtarë përderisa lufta në Ukrainë është duke vazhduar”.

“Dhe së dyti mund ketë përpjekje nga Serbia si aleati kryesor dhe përfaqësuesja e vetme e Rusisë në rajon që ta vazhdojnë tutje me politikat e tyre hegjemonike që ndërlidhen me nocionin e Serbisë së Madhe”, ka thënë Osmani.

Ajo tha se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq është duke luajtur sipas rregullave të “librit të Putinit”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat