Gjykata Themelore në Prishtinë të premten e ka dënuar me dënim unik prej 25 vitesh burgim të akuzuarin Valon Ibërdemaj, i akuzuar për rastin e vrasjes që kishte ndodhur në objektin e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI) në shtator të vitit 2018.
Aktgjykimi është shpallur nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Shpresa Hasaj- Hyseni.
Sipas aktgjykimit, i akuzuari Ibërdemaj u dënua me 21 vite burgim për veprën penale “Vrasje e rëndë”, me tre vite burgim për veprën penale “Rrëmbimi” dhe me 1 vit e 6 muaj burgim për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”. Kurse, me dënim unik u dënua me 25 vite burgim.
Në këtë dënim, Ibërdemajt do t’i llogaritet qëndrimi në paraburgim nga 4 shtatori 2018 deri në datën e sotme 18 mars 2022.
Ngjarja e rëndë kishte ndodhur para katër viteve në ndërtesën e AKI-së ku, Valon Ibërdemaj dyshohet të ketë vrarë me armë zjarri punëtorin e bufesë, Isa.S.
Ibërdemaj pasi kishte kryer vrasjen kishte marrë peng një punëtore të AKI-së, duke provuar që së bashku me të, të dalë nga objekti.