Kërcënimet ndaj Kosovës, deklarohet kancelari austriak - ja çka i kërkon Kurti

Aktuale

Kërcënimet ndaj Kosovës, deklarohet kancelari austriak - ja çka i kërkon Kurti

Më: 18 mars 2022 Në ora: 15:47 Përditësuar në ora: 18:24 më 18.03.2022
Karl Nehammer dhe Albin Kurti

Nehammer: Të mos lejojmë të shkatërrohet ajo çka është ndërtuar për një Kosovë të suksesshme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se mund të ketë të atillë që duan destabilizim mirë nuk do ta gjejnë në radhët e popullit dhe institucioneve të Kosovës.

Duke u përgjigjur rreth zgjedhjeve të 3 prillit që do të organizohen nga Serbia, Kurti ka thënë se duan të respektojnë Kushtetuan e Kosovës por ka shtuar se nuk duan t’u pamundësojnë qytetarëve të Kosovës me pasaportë serbe të drejtën e votës.

Lidhur me këtë Kurti ka folur pas takimit me kancelarin austriak, Karl Nehammer e me të cilin ka thënë se nuk ka diskutuar në veçanti për çështjen e zgjedhjeve të 3 prillit.

Kurti: Nëse dikush dëshiron destabilizim atë nuk do të gjejë në popullin e Kosovës

“Nuk kemi diskutuar veçanërisht për çështjen e zgjedhjeve të 3 prillit që i organizon Serbia, ne dëshirojmë që në Kosovë të respektohet Kushtetuta, ligji dhe rezoluta e 15 janarit të këtij viti, ndërkaq nuk duam t’ia pamundësojmë qytetarëve të Kosovës që mund të kenë edhe pasaportë të Serbisë të drejtën e tyre të votës. Jemi optimist për rrugën përpara, mund të ketë dikush që dëshiron destabilizim, që dëshiron eksese, incidente, mirëpo këtë nuk do ta gjeni në radhët e popullit të Kosovës dhe as institucione të Republikës, jemi në kontakte me Brukselin, edhe me ambasadat e QUINT-it, me kryeqytetet kryesore evropiane, gjithashtu natyrisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe besojmë që nuk do të ketë kurrfarë problemesh dhe ata që do të mund të paramendojnë, ose larg qoftë të tentojnë, nuk do të mund të kenë sukses. Kemi nevojë për paqe në Ballkanin Perëndimor dhe dita e 3 prillit nuk besoj që të do të jetë ndryshe”, ka thënë Kurti.

Lidhur me këtë, kancelari austriak ka thënë se është e rëndësishme që të ruhet ajo çka është ndërtuar deri tani në Kosovë.

Nehammer: Të mos lejojmë të shkatërrohet ajo çka është ndërtuar për një Kosovë të suksesshme

“Deri më 3 prill ka ende kohë, ne po shohim probleme po i trajtojmë problemet, duhet të gjejmë zgjidhje për problemet, është e rëndësishme që ne, kryeministri veç e tha, që të bëjmë gjithçka që ata të mos kenë të lehtë të shkatërrojnë diçka që është ndërtuar deri tani, një Kosovë e suksesshme me një perspektivë të mirë për të ardhmen”, ka thënë Nehammer.

Kurti ka folur edhe për ndikimin që mund të ketë në Kosovë situata në Ukrainë, duke theksuar se Kosova është e brengosur po jo e frikësuar.

Kurti: Jemi të brengosur por jo të frikësuar

“Ai i cili e kundërshtoi ndërhyrjen shpëtimtare të NATO-s dëshiron të keqpërdor rastin e Kosovës për të ushtruar hegjemoninë e vet, ne jemi të brengosur por nuk jemi të frikësuar. Populli ynë është bashkë dhe partneriteti dhe aleanca jonë me Bashkimin Evropian dhe me NATO-n, me Gjermaninë, Austrinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar, Francën dhe Italinë është e pashkëputshme. Përshtypja ime është që presidentin rus dëshiron të ulet në tryezën e negociatave jo me presidentin Zelenski por me presidentin Biden dhe për këtë qëllim të tij qe do t’i përngjante një lloj Jallte 2, një lloj konference të re të Jalltës, unë kam drojën që ai do ta intensifikojë luftën në Ukrainë por edhe ta shpërndajë atë edhe diku tjetër, sepse ai nuk mund të ulet dot në tryezën e negociatave vetëm me agresionin dhe invazionin në Ukrainë. E Ballkani Perëndimor është i rrezikuar meqenëse edhe Ballkani Perëndimor ka luftë hibride”, ka thënë Kurti.

Ndërsa, kancelari austriak ka përmendur misionin e paqes së Austrisë në Kosovë, duke thënë se Kosova duhet të dijë se nuk është vetëm.

Karl: Bosnje e Hercegovina sikur Kosova duhet ta dijë që nuk është vetëm

“Austria paraqet kontingjentin më të madh jo të NATO-s që është në Kosovë, ushtarët e Austrisë do t’i takojë pas takimit me presidenten dhe edhe kjo është një mision i paqes, një shenjë e njëjtë sikur EUFOR në Bosnjë ku kemi gjithashtu austriak sepse për ne është e rëndësishme që Bosnja e Hercegovina, sikurse edhe Kosova të dinë që nuk janë vetëm, nëse ka kërcënime të cilat do t’i sheh dikush, prandaj edhe të reagohet shpejtë lidhur me këto kërcënime”, ka thënë kancelari. 

Nehammer: Zgjidhja e problemeve të arrihet me komunikim

Kancelari i Austrisë, Karl Nehammer, gjatë vizitës në Kosovë ka thënë që zgjidhja e problemeve, përfshirë edhe atyre midis Kosovës dhe Serbisë, mund të zgjidhen me komunikim, si dhe me ndihmën e organizatave ndërkombëtare si OSBE-ja.

“Ne po shohim probleme, po i trajtojmë problemet, duhet të gjejmë zgjidhje për problemet sepse  ka institucione evropiane siç është OSBE-ja”, ka thënë ai në konferencë për media.

“Prandaj mendo që është e rëndësishme që ne – kryeministri veç e tha – të bëjmë gjithçka që ata të mos e kenë të lehtë të shkatërrojnë diçka që është ndërtuar deri tani – një Kosovë e suksesshme, me një perspektivë të mirë për të ardhmen, prandaj edhe Austria është ndërmjetësuese në këtë proces, është urë lidhëse”.

Nehammer e ritheksoi rëndësinë e OSBE-së, por edhe mbështetjen e lirisë, pavarësisë së Kosovës, si dhe integrimin e saj në Bashkimin Evropian.

“Kur filloi lufta e Ukrainës kam thënë: mendoj që ne tani duhet ta vlerësojmë shumë më shumë OSBE-në. Ne duhet t’i bashkojmë njerëzit, duhet të shfrytëzojmë këtë dritë të organizatave ndërkombëtare ku mund të ketë provokime të ndryshme dhe të veprojmë menjëherë kundër propagandave dhe dezinformatave”.

“Projekti i lirisë, i pavarësisë dhe anëtarësimi në BE – pra njëjtë edhe i Bosnjës dhe i Hercegovinës – për disa ndoshta nuk është i mirëseardhur ky projekt mirëpo por ne duhet bëjmë gjithçka që ky projekt të bëhet i mundshëm dhe këtë mund ta bëjmë vetëm nëse flasim me njëri-tjetrin, mendojmë dhe të gjejmë mundësi dhe zgjidhje, po shikojmë që të krijojmë kushte kornizë ku fushatat e dezinformimit nuk gjejnë fryt dhe me ndihmën e organizatave ndërkombëtare siç është OSBE-ja”.

Kurti: Kam drojën që Putin do ta intensifikojë luftën në Ukrainë, Ballkani në rrezik

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se presidenti rus Vladimir Putin, mund ta shpërndajë luftën edhe diku tjetër, pasi sipas tij, ai nuk mund të ulet në tryezën e negociatave vetëm me luftën në Ukrainë.

Kurti tha që edhe Ballkani Perëndimor është në rrezik, pasi edhe këtu veçse po bëhet “lufta hibride”.

“Jemi të brengosur, por nuk jemi të frikësuar. Populli ynë është bashkë dhe aleanca jonë me BE-në, SHBA-në e NATO-n është e pashkëputshme. Përshtypja ime është që Putin dëshiron të ulet në tryezën e negociatave, jo me Zelenskyn, por me Bidenin”.

“Për këtë qëllim të tij, unë kam drojën që do ai do ta intensifikojë luftën në Ukrainë, por edhe ta shpërndajë atë diku tjetër, sepse ai nuk mund të ulet dot në tryezën e negociatave vetëm me luftën në Ukrainë. Ballkani Perëndimor është në rrezik, meqenëse edhe këtu veçse po bëhet lufta hibride. Sputniku e ka qendrën në Beograd ndërsa në Nish ndodhet Qendra Humanitare ruse e cila është mbushur me plotë agjentë rusë”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë që është shokuar nga pamjet në Ukrainë, të cilat ia kujtojnë vuajtjet gjatë luftës në Kosovë.

“Ne e kemi dënuar invazionin rus dhe agresionin ushtarak që nga dita e parë kur ai ka ndodhur dhe kemi shprehur admirimin dhe solidaritetin me popullin e Ukrainës dhe me luftën çlirimtare që po e bëjnë burrat dhe gratë aty, në krye me presidentin Zelensky”.

“Nuk ka dyshim që autokracia e cila zhvillonte luftë hibride e udhëhequr nga Kremlini, është shndërruar në despotizëm që bën luftë duke e shkelur çdo normë ndërkombëtare e njerëzore. Në të njëjtën kohë, pa qenë e provokuar dhe në mënyrë të pajustifikueshme sulmon një komb dhe një shtet tjetër. Ne jemi shokuar nga pamjet në Ukrainë sepse na kujtojnë vuajtjen tonë para 23 – 24 vitesh, kur poashtu për çdo ditë në Kosovë kishim masakra nga policia dhe ushtria e Millosheviqit”.

“Në të kaluarën presidenti despotik, Putin na ka përmendur një herë në muaj si Kosovë. Tash po na përmend nga disa herë në javë, duke tërhequr paralele fallse me Krimenë në Ukrainë”, tha Kurti.

Kurti-kancelarit austriak: Na ndihmoni për liberalizimin e vizave dhe për anëtarësimin në Këshillin e Evropës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar pas takimit me kancelarin e Austrisë, Karl Nehammer. Kurti tha se kancelarit austriak i ka deklaruar se Kosova është e orientuar për të përmbushur të gjitha kriteret që e ofrojnë shtetin me Bashkimin Evropian.

Më tutje, kryeministri deklaroi se Kosova është e gatshme që sikurse në rastin e afganëve, të ofrojë strehim edhe për shtetasit e Ukrainës.

“Qeveria jonë është e orientuar drejt reformave për të pambushur të gjitha kriteret që na ofrojnë sa më shumë në Bashkimin Evropian. E sigurova kancelarin se Kosova vazhdon të mbetet partner i qëndrueshëm dhe i besueshëm. Sikurse për refugjatët afganë, kemi ofruar ndihmën tonë edhe në rastin e Ukrainës. U jemi bashkuar sanksioneve kundër Rusisë dhe kemi shprehur gatishmërinë për të ofruar dhe mundësuar kushte pune për 20 gazetarë ukrainas dhe gatishmëri për strehim të deri 5 mijë refugjatëve”, tha ai.

Kurti tregoi edhe për kërkesat që i pati ndaj kancelarit të Austrisë. Ai tha se i ka kërkuar, kancelarit Nehammer mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Poashtu Kurti tha se i ka kërkuar atij edhe shtyrjen përpara të vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën në Këshillin Evropian.

“Me kancelarin austriak biseduam për situatën e re politike dhe nevojën për kujdes të shtuar në këtë pjesë të Evropës. Potencova rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës si dhe përshpejtimin e agjendës së integrimit drejt anëtarësimit në BE. Nga kancelari kërkova që Austria të shtyjë përpara vendimin për liberalizimin e vizave në Këshillin Evropian të BE-së, sepse ky është një vendim i vonuar që po i dëmton jo vetëm qytetarët, por edhe bizneset dhe ekonominë e Kosovës”, deklaroi ai.

Kancelari austriak: Kosova dhe Bosnja ta dinë që s’janë vetëm

Kancelari austriak, Karl Nehammer, ka thënë se ndaj kërcënimeve eventuale në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë, pas kontekstit të ri politik që krijoi agresioni rus në Ukrainë, duhet të reagohet shpejt.

Ai për këtë thotë se Austria është një mbështetës i fortë dhe se këto dy vende ballkanike s’janë të vetme në këtë drejtim.

“Është e rëndësishme që konfliktet ekzistuese të zgjidhen, pra pyetjet e hapura të mbyllen. Nga kjo që ka ndodhur deri më tani, nevojitet më shumë sa i përket politikës, qoftë edhe nga politika e BE-së. T’i definojmë problemet dhe t’i gjejmë zgjidhjen në një mjedis që e mundëson këtë. Politika e Austrisë, sikur edhe e Gjermanisë, është një katalizator i mirë për të gjetur zgjidhje të përbashkëta”.

Nehammer tha se Austria ka një kontingjent të madh të trupave në Kosovë, sikur edhe në Bosnjë.

“Ky është një mision i paqes dhe shenjë, sikur është EUROFOR në Bosnjë e Hercegovina. Për ne është e rëndësishme që sikur edhe Bosnja edhe Kosova duhet ta dinë që s’janë vetëm. Pra nëse ka kërcënime, të cilat do t’i shohë dikush, prandaj edhe të reagohet shpejt në lidhje me këto kërcënime. Këtë miqësi dhe këtë lidhje, s’janë vetëm fjalë, por politikë konkrete”.

Ai po ashtu tha se duhet vëzhguar ndikimet negative që mund të janë në mes Kosovës dhe Serbisë dhe se kjo mund të bëhet “nën dritën e organizatave ndërkombëtare”.         

Kancelari austriak tha se tani është momentumi për të implementuar proceset integruese për Ballkanin Perëndimor dhe s’duhet të ketë vonesa sikur që ka pas.

Kryeministri Kurti: Kemi mangësi të vajit

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se sa i përket rezervave të miellit nuk është keq, por ka mangësi sa të vajit të ushqimit.

Këto komente, Kurti i bëri gjatë konferencës së përbashkët që pati me kancelarin austriak, Karl Nehammer, teksa shtoi se vaji i lulediellit, pra, lënda e parë që ka ardhur nga Ukraina është brengë për vendin.

“Sa i përket rezervave të miellit, nuk jemi keq. Kemi mangësi sa i përket vajit të ushqimit. Vaji i lulediellit, lënda e parë e të cilit ka ardhur në masë të madhe nga Ukraina është brengë edhe për vendin tonë në javët e muajt në vijim. Por në raport me furnizimet që i bën në Evropë Federata Ruse, ne nuk jemi të prekur sepse edhe ashtu s’kemi pasur furnizim prej tyre as ndonjë shkëmbim tregtar”, është shprehur Kurti.

Tutje, Kurti përmendi edhe arritjet, që sipas tij, qeveria që ai e udhëheq i ka arritur në 1 vjet qeverisje, duke përfshirë edhe arrestimin e mbi 230 zyrtarëve publik e shtetërorë, me arsyetimin, sipas tij, duke e luftuar korrupsionin.

Ndërsa, gjatë javës së kaluar një vizite në një fabrikë për përpunimin e vajit në Kosovë, Kurti ka thënë se në vend janë edhe rreth 300 mijë litra vaj të papërpunuar, e që sipas tij, pas përpunimit “mjafton për një muaj konsum normal”, teksa shton se do të angazhohen që të gjejnë burime të lëndës së parë të papërpunuar me shtetet mike.

Tensione më 3 prill? Kurti: Ata që tentojnë s’do të kenë sukses

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar mundësinë për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë edhe në Kosovë më datë 3 prill, pas takimit me kancelarin austriak, Karl Nehammer.

Kurti tha se Nehammer nuk u diskutua veçanërisht për zgjedhjet e Serbisë, por tha se në Kosovë dëshiron që të respektohet Kushetuta, ligji dhe rezoluta e datës 15 janar të këtij viti.

“Ne dëshirojmë që në Kosovë të respektohet Kushtetuta, ligji dhe rezoluta e 15 janarit të këtij viti dhe nuk duam të ia pamundësojmë qytetarëve të Kosovës që kanë pasaportë të Serbisë të drejtën e tyre të votës”, ka thënë Kurti.

Më tej, i pari i qeverisë tha se janë në kontakt të vazhdueshëm me ShBA-të, Brukselin, ambasadat e vendeve të QUINT-it e kryeqytet evropiane në lidhje me këtë, teksa shtoi se nuk beson se më 3 prill do të ketë incidente në vend.

“Mund të ketë ndokush që dëshiron destabilizim, incidente por këtë nuk do ta gjeni në radhët e popullit e as të institucioneve të Kosovës”.

“Besojmë se nuk do të ketë problem dhe ata që mund të paramendojnë ose tentojnë, nuk do të mund të kenë sukses. Kemi nevojë për paqe në Ballkan dhe dita e 3 prillit nuk besoj se do të jetë ndryshe”, ka thënë Kurti në konferencë për media.

Kancelari austriak pritet me ceremoni shtetërore nga Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim kancelarin austriak Karl Nehammer.

Pas takimit në kryeministri, Kueti tha se është biseduar “për situatën e re politike dhe nevojën për kujdes te shtuar në ketë pjesë të Evropës, rëndësinë per anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës dhe Bashkim Evropian”, tha Kurti.

Kurti tha nga kancelari austriak ka kërkuar që Austria të shtyjë përpara vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Kurti shtoi se vizita e kancelarit austriakut vjen në një kohë të tensionuar për botën demokratike.

Ai e ka falënderuar atë për mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë dhe ndihmën e dhënë për Kosovën gjatë luftës së fundit.

Kancelari austriak Karl Nehammer tha se Kosova duhet të jetë pjesë e familjes së Bashkimit Evropian.

“Është e rëndësishme që Austria të jetë urë lidhëse e Kosovës me Bashkimin Evropian, do të jetë e rëndësishme që ta përfshijmë edhe Gjermaninë sepse dhe ata janë miq të Kosovës dhe ta përshpejtojmë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, shpresojmë t’ia dalim sepse Ballkani është pikë gjeostrategjike e gjeopolitike e rëndësishme për Austrinë”, ka thënë ai.

Ai tha se Austria është aleat i madh i Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat