Nehammer: Të mos lejojmë të shkatërrohet ajo çka është ndërtuar për një Kosovë të suksesshme

Aktuale

Nehammer: Të mos lejojmë të shkatërrohet ajo çka është ndërtuar për një Kosovë të suksesshme

Më: 18 mars 2022 Në ora: 18:26
Karl Nehammer dhe Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se mund të ketë të atillë që duan destabilizim mirë nuk do ta gjejnë në radhët e popullit dhe institucioneve të Kosovës.

Duke u përgjigjur rreth zgjedhjeve të 3 prillit që do të organizohen nga Serbia, Kurti ka thënë se duan të respektojnë Kushtetuan e Kosovës por ka shtuar se nuk duan t’u pamundësojnë qytetarëve të Kosovës me pasaportë serbe të drejtën e votës.

Lidhur me këtë Kurti ka folur pas takimit me kancelarin austriak, Karl Nehammer e me të cilin ka thënë se nuk ka diskutuar në veçanti për çështjen e zgjedhjeve të 3 prillit.

Kurti: Nëse dikush dëshiron destabilizim atë nuk do të gjejë në popullin e Kosovës

“Nuk kemi diskutuar veçanërisht për çështjen e zgjedhjeve të 3 prillit që i organizon Serbia, ne dëshirojmë që në Kosovë të respektohet Kushtetuta, ligji dhe rezoluta e 15 janarit të këtij viti, ndërkaq nuk duam t’ia pamundësojmë qytetarëve të Kosovës që mund të kenë edhe pasaportë të Serbisë të drejtën e tyre të votës. Jemi optimist për rrugën përpara, mund të ketë dikush që dëshiron destabilizim, që dëshiron eksese, incidente, mirëpo këtë nuk do ta gjeni në radhët e popullit të Kosovës dhe as institucione të Republikës, jemi në kontakte me Brukselin, edhe me ambasadat e QUINT-it, me kryeqytetet kryesore evropiane, gjithashtu natyrisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe besojmë që nuk do të ketë kurrfarë problemesh dhe ata që do të mund të paramendojnë, ose larg qoftë të tentojnë, nuk do të mund të kenë sukses. Kemi nevojë për paqe në Ballkanin Perëndimor dhe dita e 3 prillit nuk besoj që të do të jetë ndryshe”, ka thënë Kurti.

Lidhur me këtë, kancelari austriak ka thënë se është e rëndësishme që të ruhet ajo çka është ndërtuar deri tani në Kosovë.

Nehammer: Të mos lejojmë të shkatërrohet ajo çka është ndërtuar për një Kosovë të suksesshme

“Deri më 3 prill ka ende kohë, ne po shohim probleme po i trajtojmë problemet, duhet të gjejmë zgjidhje për problemet, është e rëndësishme që ne, kryeministri veç e tha, që të bëjmë gjithçka që ata të mos kenë të lehtë të shkatërrojnë diçka që është ndërtuar deri tani, një Kosovë e suksesshme me një perspektivë të mirë për të ardhmen”, ka thënë Nehammer.

Kurti ka folur edhe për ndikimin që mund të ketë në Kosovë situata në Ukrainë, duke theksuar se Kosova është e brengosur po jo e frikësuar.

Kurti: Jemi të brengosur por jo të frikësuar

“Ai i cili e kundërshtoi ndërhyrjen shpëtimtare të NATO-s dëshiron të keqpërdor rastin e Kosovës për të ushtruar hegjemoninë e vet, ne jemi të brengosur por nuk jemi të frikësuar. Populli ynë është bashkë dhe partneriteti dhe aleanca jonë me Bashkimin Evropian dhe me NATO-n, me Gjermaninë, Austrinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar, Francën dhe Italinë është e pashkëputshme. Përshtypja ime është që presidentin rus dëshiron të ulet në tryezën e negociatave jo me presidentin Zelenski por me presidentin Biden dhe për këtë qëllim të tij qe do t’i përngjante një lloj Jallte 2, një lloj konference të re të Jalltës, unë kam drojën që ai do ta intensifikojë luftën në Ukrainë por edhe ta shpërndajë atë edhe diku tjetër, sepse ai nuk mund të ulet dot në tryezën e negociatave vetëm me agresionin dhe invazionin në Ukrainë. E Ballkani Perëndimor është i rrezikuar meqenëse edhe Ballkani Perëndimor ka luftë hibride”, ka thënë Kurti.

Ndërsa, kancelari austriak ka përmendur misionin e paqes së Austrisë në Kosovë, duke thënë se Kosova duhet të dijë se nuk është vetëm.

Karl: Bosnje e Hercegovina sikur Kosova duhet ta dijë që nuk është vetëm

“Austria paraqet kontingjentin më të madh jo të NATO-s që është në Kosovë, ushtarët e Austrisë do t’i takojë pas takimit me presidenten dhe edhe kjo është një mision i paqes, një shenjë e njëjtë sikur EUFOR në Bosnjë ku kemi gjithashtu austriak sepse për ne është e rëndësishme që Bosnja e Hercegovina, sikurse edhe Kosova të dinë që nuk janë vetëm, nëse ka kërcënime të cilat do t’i sheh dikush, prandaj edhe të reagohet shpejtë lidhur me këto kërcënime”, ka thënë kancelari. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat