Kurti dhe Kancelari austriak folën për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Aktuale

Kurti dhe Kancelari austriak folën për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Më: 19 mars 2022 Në ora: 11:02
Karl Nehammer dhe Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti ka shkruar për takimin e djeshëm me Kancelarin e Austrisë, Karl Nehammer, duke thënë se kanë diskutuar për luftën kundër krimit dhe korrupsionit, rëndësinë e anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe përshpejtimin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“E njoftova kancelarin për punën e Qeverisë sonë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, si dhe për ndikimet pozitive që reformat kanë pasur e vazhdojnë të kenë në performancën e ekonomisë së Kosovës”, ka shkruar Kurti në një postim në Facebook.

“Potencova rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, si dhe përshpejtimit të agjendës së integrimit dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, shtoi kryeministri.

Tutje, dy liderët diskutuan edhe për situatën në Ukrainë, dhe nevojën për ruajtjen e paqes e stabilitetit afatgjatë në vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Biseduam për situatën e re politike të krijuar pas agresionit dhe invazionit rus në Ukrainë dhe nevojën për ruajtjen e paqes e stabilitetit afatgjatë në vendet e Ballkanit Perëndimor”, theksoi i pari i Qeverisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat