Gjenden mbetje mortore në Prizren, policia thotë se dyshohet që i takojnë luftës së fundit

Aktuale

Gjenden mbetje mortore në Prizren, policia thotë se dyshohet që i takojnë luftës së fundit

Më: 20 mars 2022 Në ora: 08:54
Foto ilustrim

Disa mbetje mortore të një kufome e cila ishte e mbështjellë me rroba dhe batanije, janë gjetur gjatë ditës së shtunë në Prizren.

Policia njofton se mbetjet janë gjetur gjatë gërmimit për të hapur një varr në varrezat myslimane të këtij qyteti.

“Rr. Shefqet Berisha, Prizren, 19.03.2021 – 09:45. Punëtorët e Eko Regjionit, gjatë gërmimit për të hapur një varr në varrezat myslimane në qytetin e Prizrenit, kanë hasur në mbetje mortore të një kufome e cila ishte e mbështjellë me rroba si dhe një batanije”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

Dyshohet se mbetjet mortore i takojnë periudhës së luftës së fundit në Kosovë.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore si dhe për rastin është njoftuar prokurori i shtetit”, thuhet më tej në raport.

Tërheqja e mbetjeve mortore është bërë nga njësia e krimeve te luftës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat