Gjykata Themelore në Mitrovicë e ka dënuar me dënim unik prej dy vitesh burgim të akuzuarin Jeton Sadiku, ish-pronarin e fabrikës “Llamkos”, për dy pika të aktakuzës për veprën penale “Mashtrimi ose dëmtimi i kreditorëve apo debitorëve”.
Gjykata, ndërkaq, ka liruar nga akuzat tre të akuzuarit e tjerë, A.J, N.K. dhe I.Z.
Aktgjykimi u shpall të premten nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Bekim Veliqi.
Sipas këtij aktgjykimi, i akuzuari Jeton Sadiku u lirua nga pika e parë e dispozitivit të aktakuzës, ku ngarkohet me veprën penale të mashtrimit ose dëmtimit të kreditorëve apo debitorëve, sepse nuk u provua se i njëjti ka kryer këtë vepër penale.
Për të njëjtën pikë të dispozitivit të aktakuzës, gjykatësi tha se ekziston një aktvendim i Gjykatës së Apelit, me të cilin është refuzuar në tërësi si e pabazuar kërkesa e “Standard Bank”, me seli në Londër, me të cilën ka kërkuar që t’i njihet kërkesa monetare prej 27 milionë e 588 mijë e 908 euro.
Ndërsa, për pikën dy dhe tre të aktakuzës, Jeton Sadiku u shpall fajtor për kryerjen e veprës penale të mashtrimit ose dëmtimit të kreditorëve apo debitorëve, duke e dënuar me burgim nga 1 vit e 6 muaj për secilën pikë të aktakuzës, ndërsa dënimi unik iu shqiptua prej 2 vitesh burgim.
Ky dënim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi dhe në këtë dënim do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga i akuzuari.
I njëjti u obligua të paguajë shpenzimet procedurale në shumë prej 200 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 50 euro për fondin e kompensimit të viktimave.
Gjykata konstatoi se palët e dëmtuara Banka Kombëtare Tregtare dhe Banka Ekonomike kanë deklaruar se nuk paraqesin kërkesë pasurore juridike në raport me të akuzuarit.
Ndërsa, ndaj të akuzuarve Jeton Sadiku dhe A.J për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve si në pikën e katërt të aktakuzës, gjykata refuzoi akuzën për shkak se më 30 dhjetor 2018 ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale së kësaj vepre penale.
Sipas aktgjykimit, u konstatua se i akuzuari A.J. për veprën penale të mashtrimit ose dëmtimit të kreditorëve apo debitorëve lirohet nga akuza sepse nuk është provuar se i njëjti ka kryer veprën penale që i është vënë në barrë.
Ndërsa, për të akuzuarit N.K dhe I.Z, gjykata në bazë të nenit 364 të Kodit të Procedurës Penale, për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, shpalli aktgjykim lirues sepse për të njëjtit gjatë kësaj procedure gjyqësore nuk është provuar të kenë kryer veprën penale me të cilën ngarkohen.
Ndryshe, Prokuroria Themelore e Mitrovicës aktakuzën ndaj Jeton Sadiku, A.J, N.K dhe I.Z, e kishte ngritur më 30 korrik 2015, e cila më pas ishte konfirmuar dhe procesi gjyqësor kishte filluar qysh në mars të vitit 2016.
Ndryshe, sipas aktakuzës, Jeton Sadiku, si pronar i kompanisë “Coresteel SHPK” dhe “Coresteel DMCC”, ka mashtruar dhe i ka shkaktuar dëm kreditorit “Standard Bank” (PCL) me seli në Londër- Britani e Madhe, duke lidhur disa marrëveshje ashtu që gjerë më 25 shtator 2014 kreditorit “Standard Bank” nuk i është paguar sipas marrëveshjes shuma totale prej 26.156.060,26 euro.
Me këto veprime, Jeton Sadiku, akuzohej për veprën penale “dëmtimi i kreditormashtrimi ose ëve apo debitorëve” nga neni 289, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 2 të KPRK-së.
Në dispozitivin e dytë të aktakuzës, prokuroria akuzonte Jeton Sadikun se në cilësinë e pronarit të kompanisë “Coresteel” dhe A.J, si zyrtar ligjor dhe agjent i regjistruar në këtë kompani, në bashkëkryerje me të pandehurit R.S dhe D.H, kanë mashtruar dhe i kanë shkaktuar dëm kreditorit “Banka Kombëtare Tregtare” (BKT).
Siç thuhet në aktakuzë, J. dhe R.S, më 18 prill 2013 kanë lidhë marrëveshje për mbitërheqje dhe mbi pengun me BKT në vlerë prej 250 mijë euro dhe janë obliguar se minimumi i pengut që duhet të ruhej sipas kërkesës së kreditorit ka qenë 500 mijë euro dhe janë vonuar në kthimin e mbitërheqjes në shumë prej 250 mijë euro përfshirë këtu edhe kamatat, kurse kanë shfrytëzuar kolateralin e lënë peng-zink Ajax Bath: 157,860 700 tons @ 1700 euro/ton, në shumë prej 268 mijë euro, Ëarehouse Stock 178,018 tons @ 1700 euro/ton, në shumë prej 302 mijë euro, metal 99.99% ZN MIN, Lme Brend i regjistruar, tarifa e kodit 79011100 me vlerë të tregut 570 mijë euro.
Ndërsa, D.H dhe A.J, sipas aktakuzës kanë qenë në dijeni për dëmtimin e kreditorit dhe shfrytëzimin e kolateralit të lënë peng dhe shitjen e tij, por që nuk kanë ndërmarrë ndonjë veprim parandalues dhe me këtë kanë kontribuar në kryerje të veprës penale.
Me këtë, Jeton Sadiku dhe A.J, akuzoheshin se në bashkëkryerje me të pandehurit R.S dhe D.H, kanë kryer veprën penale “Mashtrimi ose dëmtimi i kreditorëve apo debitorëve” nga neni 289, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 2 e lidhur me nenin 31 të KPRK-së në bashkim real me veprën penale nën pikën I të dispozitivit.
Jeton Sadiku, akuzohej se më 16 shkurt 2014, në cilësinë e drejtorit të kompanisë së lartcekur ka lidhë marrëveshje mbi huan dhe mbi pengun me “Bankën Ekonomike” në cilësinë e huadhënësit në shumë prej 480,000.00 euro, ndërsa D.H, si menaxher i shitjes dhe drejtor ekzekutiv i kompanisë “Coresteel SHPK” ka qenë garantues i kësaj marrëveshje dhe që të dy e kanë ditur se parcelat që janë lënë hipotekë nuk janë liruar nga hipoteka, me ç’rast është realizuar kredia në shumën prej 480 mijë euro dhe të dëmtuarës nuk i janë paguar obligimet sipas marrëveshjes.
Me këtë, Jeton Sadiku, akuzohej se në bashkëkryerje me D.H, ka kryer veprën penale “Mashtrimi ose dëmtimi i kreditorëve apo debitorëve” nga neni 289, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së në bashkim real me veprën penale nën pikën I dhe II të aktakuzës.
Tutje, prokuroria i ngarkonte J.S dhe A.J se më 31 dhjetor 2012, J.S, kishte përpiluar një dokument të falsifikuar në lidhje me regjistrin që ruhet në bazë të ligjit-autorizimin dhe kërkesën për çregjistrimin të hipotekës në emër të “Standard Bank” drejtuar Komunës në Vushtrri-Drejtoria për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë, Zyra Kadastrale Komunale në Vushtrri, se J.S si huamarrës ka përmbushur të gjitha detyrimet që dalin nga marrëveshjet me kreditorin, siç theksohet në pikën I të dispozitivit, edhe pse nuk është paguar shuma totale prej 26.156.060,26 euro.
Ndërsa, A.J, akuzohej se me dije i ka përdorur ato dhe me T.M.A ka shkuar në Komunën e Vushtrrisë, pastaj dokumentet e falsifikuara janë prezantuar në Zyrën Kadastrale e cila më pas ka nxjerrë vendim mbi lirimin (shuarjen) e hipotekës, të datës 10 janar 2013.
Me këto veprime, ata akuzoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Falsifikim i dokumenteve” nga neni 398, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 e lidhur me nenin 31 të KPRK-së, e i akuzuari J.S në bashkim real me veprën penale nën pikën I, II e III të dispozitivit.
Ndërsa, dy të pandehurit tjerë, N.K dhe I.Z, akuzoheshin se si zyrtarë për gjeodezi dhe kadastër në Komunën e Vushtrrisë kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, duke tejkaluar kompetencat e tyre, me qëllim që të përfitojë dobi i pandehuri J.S. Aty thuhet se N.K, si drejtori për gjeodezi dhe kadastër, ndërsa I.Z, si përgjegjës i sektorit në kadastër, edhe pse kanë qenë të obliguar sipas ligjit që të kontrollojnë dhe verifikojë dokumentet e nevojshme se a plotësohen kushtet për lirim të hipotekës së kredimarrësit “Coresteel SHPK” me pronar J.S, a i ka përmbushur të gjitha obligimet ndaj kredidhënësit “Standard Bank PLC” në Londër, ketë nuk e kanë bërë. Aty thuhet se të njëjtit kanë nënshkruar aktvendim mbi lirimin (shuarjen) e hipotekës, pa i përmbushur obligimet kredimarrësi.
Prokuroria i ngarkonte ata se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 e lidhur me nenin 31.