Vendimi i Gjykatës për tre biznesmenët e dyshuar për mashtrimet me naftë

Aktuale

Vendimi i Gjykatës për tre biznesmenët e dyshuar për mashtrimet me naftë

Më: 21 mars 2022 Në ora: 16:18
Foto ilustrim

Kanë përfunduar në arrest shtëpiak për një muaj secili, tre biznesmenë të dyshuar për mashtrim me naftë.

Gjykata u ka caktuar arrest shtëpiak Fatbardh Xhaferit, Jashar Gjokajt dhe Hajdar Hajdarit, të tre biznesmenë të naftës, të dyshuar për dëmtimin e shtetit në vlerë rreth 600 mijë euro.

Ndërmarrësit po ndiqen nga shteti për shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore dhe falsifikim të dokumenteve.

Afaristët, dyshohet se kanë furnizuar me naftë përfaqësi diplomatike në Kosovë dhe kanë shitur naftën në kompani të tjera.

Në krye të kësaj skeme dyshohet se janë ndërmarrjet “HIB Petrol”, “Fer Petrol” dhe “Alfa Trade”, të cilët udhëhiqen nga biznesmenët e lartcekur.

Fatbardh Xhaferit nga “HIB Petrol”, Jashar Xhokës nga “Fer Petrol” dhe Hajdar Hajdarit nga “Alfa Trade”, i është caktuar masa e arrestit shtëpiak në një kohëzgjatje prej një muaji, secilit veç e veç.

Gjyqtarja e procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve F.XH, H.H dhe J.GJ e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve iu ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji për  secilin veç e veç.

Kështu njoftoi Gjykata Themelore e Prishtinës, ditën e sotme në një komunikatë për media, teksa shtoi se nëse të pandehurit e shkelin këtë aktvendim, mund t’iu caktohet masa e paraburgimit.

Të shtunën, Policia e Kosovës, nëpërmjet një aksioni, arrestoi Fatbardh Xhaferin nga “HIB Petrol”, Jashar Xhokajn nga “Fer Petrol” dhe Hajdar Hajdari nga “Alfa Trade”. Kurse, i dyshuari tjetër që ndodhet ende në arrati është Nazmi Kastrati.

Për një aksion të tillë njoftoi edhe Dogana e Kosovës.

“Dogana e Kosovës në saje të aktiviteteve të kontrolleve të orientuara tek fushat me rrezikshmëri të lartë për shmangie të detyrimeve doganore, ka zhvilluar inspektime dhe është në vijim të inspektimeve tjera”.

“Nga ky aktivitet zyrtarët doganor kanë gjetur dyshime për shmangie taksash nga tri subjekte që operojnë në fushën e tregtisë me derivate të naftës. Si rezultat është zbuluar lirimi i bazuar në dokumente të falsifikuara ndër vite, fillimisht nga këto tri subjekte që kanë deklaruar edhe ndërlidhjen mes vete. Dyshimi është se këto subjekte kanë liruar në import derivate duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit prej mbi 600 mijë euro gjatë tre viteve të fundit”, thuhet në njoftimin e Doganës. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat