Profesori universitar Enver Bytyçi ka komentuar përmes një postimi në Facebook dorëheqjen e Lulzim Bashës nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike.
Me këtë rast Bytyçi ka folur rreth asaj se përse Basha u braktis edhe nga SHBA, duke e bërë një krahasim me Presidentin historik dr. Ibrahim Rugova.
Ai ka kujtuar deklaratën e ish të dërguarit amerikan, Christopher Hill për Ibrahim Rugovën, i cili kishte përshkruar se si ishte pritur Presidenti nga qytetarët në një tubim në Malishevë.
Kështu sipas tij, Amerika mbështet vetëm ata që kanë mbështetje te publiku e jo te strukturat!
Postimi i plotë:
Pse e braktisën Lulzim Bashën SHBA-të?!
Mësojeni këtë fabul nga ajo që Christopher Hill shkruan për Ibrahim Rugovën:
I dërguari amerikan për Kosovën në vitin 1998, ambasadori Christopher Hill, në librin e tij “Outpost: Life on the Frontlines of American Diplomacy” e përshkruan kështu vizitën e tij së bashku me Ibrahim Rugovën në Malishevë, nëntor 1998:
«Reagimi i qytetarëve të Malishevës kur e panë Ibrahim Rugovën ishte i jashtëzakontë. Njerëzit fillimisht hezituan kur e panë liderin e tyre pas më shumë se një dekade, pastaj iu afruan dhe e përqafuan, duke e puthur në faqe. Disa e përqafuan dhe i ranë në gjunj, duke ia puthur dorën, sikur të ishte Papë. U ndala për të kapur pamjen në totalitetin e vet. Për ata që kishin thënë se e ka pasë puna e tij, do të doja ta shihnin tani.
Se çka i bën disa politikanë karizmatikë e çka jo, ka qenë koncept i pakapshëm për mua, por në këtë ditë e pashë se Ibrahim Rugova ishte forcë që duhej marrë në konsideratë – ndoshta kjo ishte arsyeja pse UÇK-ja dhe të tjerët ishin aq të ashpër me të».
Amerika mbështet vetëm ata që kanë mbështetje te publiku e jo te strukturat!