Abdixhiku kritikon Qeverinë Kurti për punën një-vjeçare: Arrogante dhe konfliktuoze

Aktuale

Abdixhiku kritikon Qeverinë Kurti për punën një-vjeçare: Arrogante dhe konfliktuoze

Më: 22 mars 2022 Në ora: 13:07
Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku në një-vjetorin e qeverisjes, ka hedhur kritika ndaj Qeverisë Kurti 2.

Në një konferencë për media, ai tha se përgjatë kësaj kohe kjo qeveri ishte arrogante dhe konfliktuoze duke theksuar se në planin e jashtëm, në dialogun me Serbinë kishte mos-përgatitje të plotë, pa platformë dialoguese dhe kthim në dialog teknik.

“Në politikë të jashtme kjo Qeveri është karakterizuar me skandale dhe me mungesë të takimeve të rëndësishme në nivel të lartë. Izolimi i Kosovës po merr formë çdo ditë. Nuk përjashtohet as qasja e kësaj qeverie rreth dialogut që ka treguar një mospërgatitje. Në politikën e brendshme qeveria ka qenë sa arrogante aq edhe konfliktuoze. Dëshpërimi qytetar me një qeverisje të tillë, është përcjellë me largim masiv të qytetarëve tanë dhe të rinjve nga Kosova”, theksoi ai.

Po ashtu, Abdixhiku ka kritikuar qeverinë për qasjen ndaj krizës energjetike dhe të rritjes së çmimeve të produkteve bazike.

Ai thotë se në dy muajt e parë të këtij viti – inflacioni ishte 7.5 për qind, teksa shton se muajt e ardhsëm pritet që inflacioni të jetë dyshifrorë.

Tutje, ai ka folur edhe për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë, duke thënë se Qeveria ka bërë fushatë se nuk do lejojnë një gjë të tillë.
“Ndryshimet e kauzave të kësaj qeverie janë të zakonshme dhe qytetarët tanë duhet ta kuptojnë se kjo qeveri po i mashtron. Ne kemi aprovuar një rezolutë në Kuvend që e kanë sjell vet dhe është detyrë e saj t’i qartësojë pozicionet e veta”, tha ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat