Kongresistët amerikanë - Kurtit: Është koha që Kosova të pranohet në NATO

Aktuale

Kongresistët amerikanë - Kurtit: Është koha që Kosova të pranohet në NATO

Më: 22 mars 2022 Në ora: 20:57
Foto nga takimi virtual

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi takim virtual me kongresistët nga Grupi për Çështje shqiptare në Kongresin amerikan, Ritchie Torres, Darrell Issa dhe Robert Aderholt.

Kryeministri e falënderoi kongresistin Torres, njëherit bashkëkryesues i Grupit për Çështje shqiptare në Kongresin amerikan, dhe kongresitët për avokimin e tyre për Republikën e Kosovës, dhe vlerësoi deklaratat publike në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe Bashkim Evropian.

Merita të mëdha për suksesin e Kosovës kanë mbështetësit e fortë në Kongresin Amerikan, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se Kosova ka fatin e mirë që tani ka edhe kongresistët nga Grupi i Çështjeve shqiptare si aleatë në Kongres.

Kryeministri Kurti theksoi se ka një sërë fushash në të cilat mund të thellohet e zgjerohet bashkëpunimi në interes të Kosovës, duke veçuar avokimin për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe NATO, si dhe për rritjen e investimeve amerikane në Kosovë.

"Kongresistët amerikanë ritheksuan se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë aleat më të madh se Kosova në Evropë, dhe është koha që Republika e Kosovës të pranohet në NATO. Ata vlerësuan pozicionimin e Kosovës dhe angazhimin e përbashkët në avancimin e parimeve demokratike. Po ashtu, theksuan domosdoshmërinë e ripërtëritjes së angazhimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për t’u siguruar që Kosova, shtet mik e aleat i ShBA-ve do të marrë trajtim të drejtë", thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrisë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat