Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se Qeveria e Kosovës nuk ka vendosur që zgjedhjet serb të 3 prillit të mos mbahen në Kosovë, por që nuk kanë marrëveshje paraprake në mes dy vendeve për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.
Kreu i ekzekutivit kosovar pas mbledhjes së qeverisë në një konferencë për medie tha se Bashkimi Evropian nuk ka qenë i lumtur që Qeveria e Kosovës nuk ka pranuar që gjithçka të përmbyllet me një letër shkëmbimi ndërmjet zyrtarëve ndërlidhës.
E për ecurië e dialogut pas situatës së krijuar ai tha se nuk e di nëse zhvillimet rreth këtyre zgjedhjeve do të ndikojnë në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Kurti: BE nuk ka qenë e lumtur që unë nuk kam pranuar gjithçka të përmbyllur me letër-shkëmbim nëpërmjet zyrtarëve ndërlidhës
“Zhvillimet rreth zgjedhjeve të Serbisë nuk e di se sa ndikojnë në dialog. Atëherë kur të na ftojnë në raundin ri të bisedimeve, natyrisht ne do të jemi të gatshëm të angazhohemi me përkushtim, me konstruktivitet dhe me kreativitet. Nuk më përket mua ta vlerësoj meqenëse është ndërmjetësi ai që e bën një vlerësim të tillë se kur është një moment i përshtatshëm dhe në çfarë agjende të zhvillohet takimi i radhës në Bruksel. Nuk do të thosha që Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për mos mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë. Por e vërteta është se nuk ka marrëveshje parapake që natyrisht që paraqet kushtin për mbajtjen e atyre zgjedhjeve që nuk është plotësuar. Ne kemi pritur një shkëmbim normal të letrave, të kërkesave së tyre të trajtimit tonë mirëpo kjo gjë nuk ka ndodhur. Bashkimi Evropian nuk ka qenë i lumtur me faktin se unë nuk kam pranuar se gjithçka të përmbyllet përbrenda një letër-shkëmbimit të sugjeruar ndërmjet zyrtarëve ndërlidhës. Unë jam i bindur që marrëveshja duhet të jetë përmes shkëmbimit të letrave të Qeverisë së Serbisë dhe Qeverisë së Kosovës, ne jemi instancat që jemi autoritetet e vendeve përkatëse dhe të cilët do të duhej të merreshin vesh në mënyrë që të zhvilloheshin ato zgjidhje. Kështu siç është çështja ka marrë një kahje tjetër. Ne kemi shprehur keqardhjen tonë por më shumë se kaq nuk kam çfarë të them”, u shpreh shefi i ekzekutivit.
Kryeministri , Kurti u shpreh po ashtu se përmes shkëmbimit të letrave për çështjen e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, nuk i ka kërkuar njohje Serbisë ashtu siç kishte deklaruar mbrëmë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Kurti: Nuk kam kërkuar njohje me këtë shkëmbim të letrave për zgjedhjet serbe
“Nuk kam kërkuar që me këtë shkëmbimin e letrave ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të arrijmë njohje nga Serbia meqenëse është e mundshme që të shkëmbejmë letra edhe pa pasur njohje, ne nuk e kemi njohur njëri-tjetrin kur jemi takuar në Bruksel, Kosova se njeh Serbinë, Serbia se njeh Kosovën kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë kanë bërë 33 marrëveshje pa u njohur ndërsjelltas”, tha ai.
Shefi i ekzekutivit Kosovar tha se ka marrë informacione se serbët kanë marrë instruksione nga Beogradi për të protestuar pasnesër lidhur me moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe edhe në Kosovë.
Por ai bëri thirrje që serbët e Kosovës mos tu përgjigjen këtyre protestave duke thënë se mendon se këto protesta nuk janë të nevojshme.
Kurti: Kam informacion se po përgatiten protesta për zgjedhjet e Serbisë në Kosovë
“Sot më erdhi informacioni se po përgatiten edhe protesta për pasnesër unë nuk mendoj se protestat janë të nevojshme për këtë çështje, plotësisht do t’i kuptoja qytetarët serb të Kosovës nëse do të protestonin kundër korrupsionit për çështje sociale, për arsim e çështje sociale më të mira, por të hyhet në protestë për zgjedhjet e Serbisë që të mbahen nëpër objektet e shkollave nuk është e drejtë. Andaj më lejoni tu bëjë thirrje qytetarëve serb në Kosovë që të mos organizomë e marrin pjesë në protesta të tilla”, u shpreh kryeministri Kurti.
Ndërsa, lidhur me prezencën e anëtarit të Listës Serbe, kryetarit të Shtërpcës, Dalibor Jevtiq në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, që u mbajt dje në Beograd por edhe zyrtarëve të tjerë serb, kryeministri I Kosovës, Albin Kurti tha se organet përkatëse do të duhej të vepronin.
E meqenëse sipas shefi të Qeverisë së Kosovës nuk ka ndonjë marrëveshje për mbajtjen ose jo të zgjedhjeve serb të 3 prillit në Kosovë, ai ka dhënë disa propozime që shtetasit e Serbisë që jetojnë jashtë vendit të mund të votojnë.
Kurti: Është e mundshme të bëhet votimi me postë, ose zyrat ndërmjetësuese të funksionalizohen
“Bëj thirrje që ato tri zyre të zbrazëta që janë në ndërtesën e BE-së fare pranë këtij vendi që zhvillohet konferenca pranë meje të funksionalizohen dhe operacionalizohen me zyrtarët nga Beogradi dhe në këtë mënyrë ajo do të paraqiste një adresë të mirë për qytetarët serb në Kosovë që kanë nënshtetësinë e Republikës së Serbisë...22.21Në anën tjetër ne kemi thënë që është e mundshme të bëhet edhe votimi me post por na janë kundërvënë duke theksuar që Serbi nuk lejohet një gjë e tillë unë besoj që edhe KQZ në Serbi edhe ligji atje edhe Kuvendi atje duhet të shqyrtojnë mundësinë që tua bëjnë të mundur serbëve që të votojnë edhe me postë“, theksoi ai.
I pyetur për reciprocitetin me Serbinë të cilin e kishte paralajmëruar tash e sa kohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se e ka ndërmend ta zbatoj parimin e reciprocitetit por kur do të ndodh kjo do të njoftojnë.
Kurti: E kam ndërmend ta zbatojmë parimin e reciprocitetit
“E kam ndërmend ta zbatojmë parimin e reciprocitetit sepse është parim i raporteve të shëndosha demokratike, evropiane, ndërfqinjësore dhe për këtë jemi duke biseduar me ministren e Industrisë, Rozeta Hajdari dhe do t’iu njoftojmë se kur do ta bëjmë këtë, por nuk dëshirojmë që ta bëjmë e mos të ketë sukses të plotë meqenëse në një situatë të tillë atëherë kosto do të ishte tepër e madhe dhe shumë më e rendë edhe sesa aktuale që e kemi tani kur qartazi nuk ka raport simetrik në mes Kosovës dhe Serbisë”, theksoi Kurti.
Ndërsa, lidhur me kritikat e partive opozitare për diplomacinë kosovare të udhëhequr nga ministrja, Donika Gërvalla, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se sulmet ndaj saj po i vijnë edhe nga ish-partia e saj, e cila e kishte përjashtuar nga mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.
Kurti: Në ministren e Punëve të Jashtme po ankohet subjekti që nuk e lejoi të marr pjesë në Këshill të Përgjithshëm
“Mund ta imagjinoj se pse ka një sulm të egër, të papërmbajtur ndaj zëvendëskryeministres sime dhe ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për shkak se ajo tash përfaqëson edhe një subjekt të ri politik dhe gjithashtu është në raporte shumë të mira me mua si kryeministër. Mos harroni se po ankohet në ministren e Punëve të Jashtme dhe zëvendëskryeministren e Qeverisë së Kosovës subjekti politik i cili kur ka qenë kjo anëtare nuk e ka lejuar të hyjë në mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm....Unë jo vetëm nuk jam i njëjtë me ta por jam shumë i ndryshëm prej tyre edhe për çfarë do vendime dhe qëndrimesh që marrim në politikën e jashtme unë gjithmonë diskutojë paraprakisht me zonja Gërvalla”, u shpreh ai.