Deputeti shqiptar në Serbi: Kosova bëri mirë që nuk lejoi mbajtjen e zgjedhjeve serbe

Aktuale

Deputeti shqiptar në Serbi: Kosova bëri mirë që nuk lejoi mbajtjen e zgjedhjeve serbe

Më: 23 mars 2022 Në ora: 18:43
Shaip Kamberi

Vendimin e Qeverisë së Kosovës për moslejimin e zgjedhjeve serbe e konsideron të drejtë.

Thotë se Serbia është fajtore për mosgjetje të zgjidhjes dhe refuzim të marrëveshjes, megjithë përpjekjet e Kosovës.

Deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, thotë se Kosova veproi drejt dhe në interes të vendit kur vendosi për moslejminin e zgjedhjeve serbe.

 “Besoj së paku se Qeveria e Kosovës e ka vlerësuar mirë gjendjen dhe ka marr një vendim në interes të Republikës së Kosovës. Natyrisht, unë atë që e dëgjova në opinion se kryeministri Kurti ka bërë përpjekje për të pasur një marrëveshje, por është ana tjetër që ka refuzuar atë marrëveshje andaj nëse ka ekzistuar një tentativë dhe përpjekje për të gjetur një zgjidhje për këtë dhe Serbia nuk ka dashur që të jetë partner për të cilën mund të bisedohet për të gjetur një zgjidhje”, tha ai.

Vendimi për moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë, nuk u mirëprit nga përfaqësuesit serbë, madje paralajmëruan protesta e dalje nga institucionet e Kosovës.

Por, Shaip Kamberi thotë se mund të jetë problemi më i vogël për Serbinë, pasi që sipas tij e presin sfida edhe më të rënda.

E kjo do të ndodhë për shkak të qëndrimit ndaj sulmit rus në Ukrainë.

“Prandaj edhe kjo mbajtje e zgjedhjeve në Kosovë mendoj do të jetë problemi më i vogël politikë për Serbinë për shkak se e presin sfida të shumë të rënda të definimit strategjik të politikës së saj të jashtme”, thotë ai.

 Shaip Kamberi: Serbia nuk ka komoditet që të luajë politikën në tri karrige

 Shaip Kamberi deklaron se Serbia nuk është duke e harmonizuar politikën e vet me atë të Bashkimit Evropian, dhe kjo mund të jetë problem i madh.

Siç thotë ai, Serbia nuk ka komoditet që të luajë politikën në 3 karrige, siç bën zakonisht me Kinën, Rusinë dhe Bashkimin Evropian.

“Pozicioni i Serbisë është vështirësuar për shkak të krizës në Ukrainë, për shkak të faktit se Serbia po mbetet i vetmi vend në Evropë i cili nuk i ka vendosur sanksione Rusisë, dhe si vend aspirantë në Bashkimin Evropian, Serbia nuk po e harmonizon politikën e jashtme të vet me politikën e Bashkimit Evropian. Ky është një problem shumë i madh për Serbinë dhe mendoj se nëse deri më 3 prill do t’i tolerohet një ekuilibrim i tillë mes Rusisë dhe Ukrainës, mes Rusisë dhe botës perëndimorë në këtë rast pas 3 prillit, Serbia nuk ka komoditet që të luajë politikën e ekuilibrit në dy karriga, apo në tri karriga sic bën zakonisht, me Kinën, Rusinë dhe me BE-në”, tha Kamberi.

 Kamberi: Retorika serbe për Kosovën do të ashpërsohet, vetëm për të grumbulluar vota

Se retorika serbe kundër Kosovës do të ashpërsohet edhe më shumë, e thotë edhe deputeti shqiptar, Shaip Kamberi.

Por, jo vetëm nga pushteti, edhe nga partitë opozitare.

E kjo, sipas tij, ndodhë vetëm për të grumbulluar vota.

“Unë mendoj që si zakonisht, se çfarëdo krize qoftë ajo hibride apo e vërtetë në Kosovë, retorika në Serbi ashpërsohet shumë, e kësaj here do të kenë një retorikë të ashpërsuar, jo vetëm nga pushteti, por edhe nga partitë opozitare të cilat po marrin pjesë kësaj here për dallim nga zgjedhjet e kaluara”, potencoi ai.

 Kamberi flet për përçarjet e partive, tregon rolin e Kurtit në këtë proces

Kamberi thotë se këtë herë do të kandidojnë me dy lista, anipse u përpoqën që ta ndërtojnë një listë të përbashkët.

Kamberi thotë se këtë herë do të shkojnë me dy lista.

E kjo, sipas tij mund ta dëmtojë procesin, por në anën tjetër edhe mund të nxisë qytetarët t’i votojnë.

“Ne patëm përpjekje për ndërtimin e një liste të përbashkët, pasi disa përpjekjeve  nuk arritëm, patëm edhe një konsultim me kryeministrin Kurti i cili tentoi të ndihmojë në këtë projekt, por nuk arritëm, kështu që shkojmë me dy lista. Në njërën anë sigurisht në aspekt, së paku politikë mendoj se mund ta dëmtojë procesin për shkak se njerëzit mund ta shohin se dy lista janë të ndara, në anën tjetër ndoshta mund të nxisë secilën pjesë që të jetë edhe më e mobilizuar se sa të ishim pjesë e një projekti të përbashkët dhe në kuadër të këtij mobilizimi secila listë të fitojë përfaqësimin e vet”, tha ai.

 Kamberi: Nëse do të mbaheshin zgjedhjet serbe në Kosovë, nuk do të merrnim vota

Kamberi thotë se në rast se do të mbaheshin  zgjedhjet serbe në Kosovë nuk do të merrnin vota.

“Nuk kemi pasur asnjë moment, kur ka pasur zgjedhje kur janë organizuar zgjedhjet serbe në Kosovë në asnjë moment nuk kemi pasur vota në Kosovë. Kemi mundur të marrim vota 2000 deri në 2600 vota në çdo qytet të Serbisë, duke besuar se këta janë shqiptarë që  jetojnë nëpër qytetet e Serbisë, veçanërisht në Vojvodinë e në Beograd, ata kanë qenë që na e kanë dhënë votën, por në asnjë rast që në Kosovë të marrim vota”, thotë ai.

 Komuniteti ndërkombëtar i ka bërë vazhdimisht thirrje Qeverisë së Kosovës që të gjejë mënyra për mbajtjen e zgjedhjeve serbe.

Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, kanë qenë ato të 21 qershorit 2020.

Ato zgjedhje janë mbajtur sipas një praktike të mëhershme, ku misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë i ka grumbulluar votat. Ato vota më pas janë numëruar në Rashkë dhe Vranjë, dy qytete kufitare të Serbisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat