Pal Lekaj zbulon se si mund të ketë zgjidhje finale me Serbinë

Aktuale

Pal Lekaj zbulon se si mund të ketë zgjidhje finale me Serbinë

Më: 24 mars 2022 Në ora: 00:53
Pal Lekaj

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj thotë se vetëm me prezencën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës “në tryezën e dialogut” mund të ketë zgjidhje përfundimtare me Serbinë, me njohje reciproke.

Lekaj shton se kushdo që është i deleguar nga SHBA-ja për dialogun mes dy vendeve, është garanci për Kosovën se është “100 për qind e sigurt në këtë drejtim”.

“Atëherë mendoj që jemi të sigurt, është e vërtetë që kushdo që vie prej SHBA-së është ndihmesë e madhe sepse pa qenë në tavolinë SHBA unë nuk mendoj që do të ketë zgjidhje përfundimtare të çështjes së Kosovës për njohje reciproke por mendoj që ne kemi shtetin tonë duhet të ulemi të barabartë me korniza të qarta, mos të ketë kompromise, boll Kosova ka bërë kompromise”, shtoi ai.

Po ashtu, ai i ka folur edhe për deklaratat e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj lidhur me mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje finale mes dy vendeve gjatë këtij viti.

“Me siguri që Haradinaj ka informacione të bollshme por tani mendoj që mund të ndryshojë situata pas luftës në Ukrainë mendoj që Kosova duhet që sa më parë të aplikojë në organizmat ndërkombëtarë dhe ta shfrytëzojmë këtë kohë sepse po dihet që Serbia është kthyer kah Rusia sepse i vetmi shtet që përkrahë Rusinë është Serbia”, theksoi ai.

Nënkryetari i partisë opozitare u deklarua edhe për mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, duke hedhur poshtë deklaratat se kjo nuk është e mundur që të ndodhë së shpejti.

“Njerëzit mund të mendojnë çfarëdo, por shumë njerëz kanë thënë që Kosova mund të jetë shtet i pavarur, mirëpo para se të ndryshohet Ligji për Ushtrinë ka pasur njerëz që më kanë thënë se s’ka gjasë të formohet por u formua, asnjëherë nuk mund të thuash jo sidomos në këto rrethana ku po shihet se rajoni nuk ka siguri nëse Kosova nuk integrohet në NATO dhe në BE”, theksoi ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat