Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar sot vrasjen e qindra personave të pafajshëm në Krushë të Rahovecit dhe fshatra të tjera ndërmjet datave 25-27 mars 1999, përcjell "Bota sot".
Në një postim në Facebook, Osmani shkruan se tri ditët e tmerrit janë janë dëshmi e egërsisë së pushtetit gjenocidal të Serbisë, i cili nuk zgjodhi mjete kundër banorëve të këtyre fshatrave.
“Ndërmjet 25-27 mars të vitit 1999, në Krushë të Rahovecit si dhe fshatra të tjera përreth u vranë qindra persona të pafajshëm dhe u dogjën shumica e shtëpive në këto fshatra. Tri ditët e tmerrit janë dëshmi e egërsisë së pushtetit gjenocidal të Serbisë, i cili nuk zgjodhi mjete kundër banorëve të këtyre fshatrave.
Krusha e Madhe, Krusha e Vogël dhe fshatrat përreth janë dëshmi për çmimin e lirisë dhe sakrificën për të. Këto vende ngjallin dhimbje, pikëllim, por edhe krenari. 23-vjet pas krimit, gratë e Krushës janë shndërruar në inspirim dhe në model të ngadhënjimit ndaj të keqes”, shkroi Presidentja.
Ajo tha se Krusha dhe i gjithë shteti i Kosovës do të jetojnë përherë me kujtimin për të gjithë ata që ranë për liri.
Presidentja rikujtoi se dje janë përkujtuar edhe masakra e Kaçanikut, vrasja e avokatit Bajram Kelmendi dhe djemve të tij, ndërsa nesër përkujtohen maskakra e tmerrshme ndaj familjes Berisha në Suharekë.
“Nuk do t`i harrojmë ata, por njësoj sikurse gratë e Krushës do të shikojmë kah e ardhmja dhe nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi.
Secila nga këto ditë deri në mes të qershorit, është e mbushur me dhimbje e krenari për popullin e Kosovës. Dje përkujtuam edhe të rënët në masakrën në Kotlinë të Kaçanikut, veprimtarët Latif Berisha e Agim Hajrizi (me familjarë) që u ekzekutuan më 24 mars në Mitrovicë si dhe avokatin e humanistin Bajram Kelmendin, i cili u ekzekutua mizorisht së bashku me dy djemtë e tij. Nesër, bëhen 23 vjet nga masakra e tmerrshme ndaj familjes Berisha në Suharekë, ku pushteti i atëhershëm serb dëshmoi qëllimin e vet shfarosës duke vrarë në mënyrën më brutale fëmijë, gra e të moshuar.
Të gjithë të rënët janë kujtimi ynë i përhershëm, por edhe forca dhe vullneti për të ecur përpara!”, përfundoi presidentja.