Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka reaguar pas suspendimit të kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanoviq e cila mori pjesë në mbledhjen e Sigurisë të thirrur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Kurti ka thënë se s’pezullon gjyqtarë e as prokurorë dhe siç shprehet ai gjyqësori është i pavarur nga Qeveria.
“Unë nuk jam as kryetar dhe as anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Gjyqësori është i pavarur nga Qeveria. Ndoshta në Serbi presidenti pezullon dhe largon gjyqtarët dhe prokurorët. Ky nuk është rasti në Kosovë ose me gjyqtaren Stevanoviç. Ne jemi vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor, plotësisht në linjë me BE-në dhe NATO-n”, ka shkruar ai në një postim në Twitter.
Ndërkaq, sot në veri të Mitrovicës është mbajtur një protestë nga Lista Serbe për pezullimin e kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanoviq.
Ministri për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq, gjatë protestës ka thënë se nuk do të punojë asnjëri prej tyre që punojnë në institucionet e Kosovës në Veri, derisa të kthehet në punë Stevanoviq.