​KPK i reagon disa OJQ-ve rreth kryeprokurorit: Është orvatjeje për denigrim të procesit

Aktuale

​KPK i reagon disa OJQ-ve rreth kryeprokurorit: Është orvatjeje për denigrim të procesit

Më: 25 mars 2022 Në ora: 17:47
Këshilli Prokurorial i Kosovës

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka reaguar ndaj raportit të një pjese të organizatave joqeveritare, përkitazi me procesin e zgjedhjes se kryeprokurorit të ri të Shtetit, duke vlerësuar se procesi për zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Shtetit, që nga fillimi e deri në këtë fazë të intervistimit, ka qenë objektiv, jodiskriminues, transparent, gjithëpërfshirës dhe i bazuar plotësisht në meritokraci.

KPK-ja në reagimin ndaj raortit të disa ojq-ve me titull “Integriteti i procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit”, të publikuar dje në mediat e vendit, thekson se publikimi i konceptdokumenteve, intervistimi i kandidatëve në prani të përfaqësuesve të OJQ-ve dhe partnerëve ndërkombëtarë, xhirimi dhe transmetimi i të gjitha intervistave të kandidatëve përmes mediumit publik, Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), i cili mundësoi që secili qytetarë të përcjellë këtë ngjarje të rëndësishme në sistemin e drejtësisë, padyshim, është dëshmia më e mirë që ky proces, siç e thekson edhe vetë raporti i kësaj pjese të shoqërisë civile, është një praktikë tepër pozitive dhe e pashembullt deri me tani në ndonjë institucion relevant, me ç’rast iu ka dhënë mundësia publikut, OJQ-ve dhe mediave që ta përcjellin drejtpërdrejt dhe në kohë reale ketë ngjarje për zgjedhjen e kandidatit për pozitën më të lartë në sistemin prokurorial.

“Prandaj, tendencat dhe gjuha e përdorur nga një pjesë e shoqërisë civile, nuk është asgjë tjetër, përveçse tendencioze, e pabazuar dhe pa asnjë mbështetje ligjore, me prapavijë dhe në shërbim të atyre që kanë intencë të ndërhyjnë në pavarësinë e këtij institucioni të garantuar me Kushtetutë dhe ligjet në fuqi. Paradoks në vetvete dhe tejet i pakuptueshëm është fakti kur i njëjti raport i këtij koalicioni të një pjese të OJQ-ve i paraqet si fajtorë për një proces të pavarur, të drejtë dhe të paanshëm, një udhëzues, i cili ka të bëjë me aplikimin e nenit 13 dhe 14-të të rregullores për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive të Republikës së Kosovës dhe formularët mbi konceptdokumentet e kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit. Prandaj, kjo është përtej çdo orvatjeje për diskreditim dhe denigrim me çdo kusht të këtij procesi nga ana e disa qarqeve, të cilat nuk ia duan të mirën jo vetëm sistemit prokurorial, por tërë sistemit të drejtësisë, kur dihet se tërë hapat, nga fillimi e deri tek kjo fazë e intervistimit, janë ndërmarrë në plotëni me partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët kanë mbështetur gjithmonë sistemin prokurorial” thuhet në reagim.

KPK-ja kërkon edhe nga përfaqësuesit politikë të institucioneve të ndryshme që të respektojnë pavarësinë e pushtetit prokurorial dhe të përmbahen nga çfarëdolloj deklaratash politike, të cilat do të vlerësoheshin si ndërhyrje në këtë proces të zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat