Kaçaniku: Nëse Qeveria vazhdon t’i injorojë qytetarët, prapë do të ketë rritje të çmimeve

Aktuale

Kaçaniku: Nëse Qeveria vazhdon t’i injorojë qytetarët, prapë do të ketë rritje të çmimeve

Më: 25 mars 2022 Në ora: 22:58
Selatin Kaçaniku

Rritja e çmimeve të produkteve elementare, bashkë me rritjen e çmimeve të derivateve të naftës, kanë qenë një problematikë e stërdiskutuar së fundmi në Kosovë.

Si pasojë e rritjes së çmimeve janë shtuar edhe sfidat për qytetarët e vendit, ku një pjesë e tyre janë revoltuar dhe kanë kundërshtuar në të gjitha përmasat çmimet e reja.

Në lidhje me këtë, përveç qytetarëve, kanë reaguar edhe përfaqësues të ndryshëm politikë dhe liderë të organizatave që mbrojnë të drejtat e konsumatorëve.

Selatin Kaçaniku nga organizata “Konsumatori”, tha se këto çmime nuk janë në porporcion me të ardhurat e qytetarëve të Kosovës.

“Çmimet aktuale, jo vetëm të prodhimeve, mallrave e shërbimeve nga importi, por edhe të atyre vendore, nuk janë në proporcion të drejtë e dinjitoz me të ardhurat personale, rrogat, e aq më pak me ndihmat sociale e pensionet që mirren në Republikën e Kosovës”, u shpreh ai.

Kaçaniku tha se pavarësisht faktit që qytetarët nuk janë të kënaqur me rritjen e çmimeve, kjo nuk është se ka një peshë të madhe derisa procesi i ankesave dhe denoncimit është kompleks dhe aspak i thjeshtë.

“Ky proces duhet të mbështet me disa mjete e veprime paraprake të cilat, për fat të keq mungojnë”, potencoi themeluesi i organizatës “Konsumatori”.

Tutje ai bëri të ditur se kanë pranuar një numër të madh të ankesave nga konsumatorët për rritjen e çmimeve, për të cilat sipas tij nuk ka pasur reagime.

“Reagimi i tanishëm i Qeverisë me MINT-in duke e ‘asistuar’ inspeksionin e tregut, dëshmoi se mekanizmat, agjencionet, rregullatorët…i shërbejnë Qeverisë e jo popullit, jo qytetarit as familjes konsumatore taksapaguese”, theksoi Kaçaniku.

Aktivisti për të drejtat e konsumatorëve, paralajmëroi se nëse Qeveria vazhdon të “injorojë” qytetarët, rritje të çmimeve do të ketë edhe në të ardhmen.

“Ngritje çmimesh, variacione e lojra me çmime do të ketë edhe në të ardhmen. Aq më shumë nëse Qeveria i injoron ‘lëvizjet’ e çmimeve, aq më shumë nëse beson se tregu është rregullator, edhe më shumë nëse Qeveria vazhdon ta injorojë qytetarin dhe familjen konsumatoare. Ato janë edhe taksapages dhe gjenerues të buxhetit nga i cili finansohet Shteti dhe të cilin e menaxhon Qeveria”, tha ai.

Kaçaniku i cili prej 16 vitesh merret me monitorimin e çmimeve, tregoi se reagime nga ana e tyre ka pasur gjithmonë, mirëpo sipas tij ato asnjëherë nuk janë dëgjuar.

Mes tjerash ai potencoi se qytetari dhe familja konsumatore po vazhdojnë të injorohen, ndërsa kauza e tyre  sabotohet pa kursim.

Ndërsa, në lidhje me mënyrën se si funksionon raportimi i ankesave të konsumatorëve, Kaçaniku bëri të ditur se ato i drejtohen inspektoratit kompetent.

“Ato disa raste i gjobisin aty për aty ndërsa rastet më të rënda procedohen te gjykata kompetente. Por, për të pasur më pak arsye për ankesa dhe që ankesat të kenë përfundim të arsyeshëm e të logjikshëm institucionet dhe mekanizmat e Shtetit qytetarin konsumator taksapagues duhet ta informojnë, edukojnë, arsimojnë e vetëdijësojnë – edhe për të qenë partner i dinjitetshëm i Shtetit”, përfundoi ai.

Në anën tjetër, në këtë aspekt nuk duket se qëndrojnë më mirë as shtetet fqinje të Kosovës.

Rritje të çmimeve ka pasur edhe në Shqipëri, ku qytetarët e Tiranës kanë protestuar disa ditë rresht kundër çmimit të naftës dhe produkteve tjera.

Ndërkaq, pas raportimeve të sotme se çmimi i naftës do të rritet përsëri, aktivistët e Shqipërisë kanë paralajmëruar protesta të tjera duke filluar që nga dita e martë e javës së ardhshme.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat