Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka deklaruar se shumica parlamentare po ndalon me votë themelimin e komisionit hetimor. Pas dështimit të formimit të këtij komisioni lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e ekzekutivit, ai shtoi se bëhet fjalë për aferë korruptive. Ai ka paralajmëruar që do të ndjekin rrugë të tjera për të mundësuar formimin e këtij komisioni hetimor.
Me 23 vota për, 50 vota kundër dhe asnjë abstenim, kuvendi në seancën e sotme nuk e ka formuar Komisionin Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Kosovës.
Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri në konferencë para gazetarëve tha se propozimi i tyre ishte për themelimin e një komisioni hetimor parlamentar, i cili do të hetonte punën dhe vendimet e qeverisë, ZRrE-së dhe gjitha institucioneve të cilat kanë qenë të përfshira.
Tahiri: Kjo është hera e parë që një parti politike bllokon themelimin e një komisioni hetimor
“Ne konsiderojmë që gjatë kësaj periudhe, tashmë kanë dalë në dritë edhe mundësitë për keqpërdorimet e para që kanë ndodhur nga mjetet që janë ndarë nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Nga dy dekada prej që është themeluar Kuvendi i Kosovës, kjo është hera e parë që një parti politike bllokon themelimin e një komisioni hetimor, siç ishte sot Komisioni i propozuar nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës. Asnjëherë në të kaluarën, asnjë grup parlamentar nuk ka ndodhë që të refuzojë hedhjen në dritë mbi çfarëdo keqpërdorimi të mundshëm që ka mund të ndodhë nga cilat do institucione”, ka deklaruar Tahiri.
Më tej theksoi se hetimi parlamentar është i rregulluar edhe me ligj, i cili mundëson hedhjen në dritë për keqpërdorimet e mundshme.
Tahiri ka folur edhe për ndarjen e 200 milionë euro, mjete nga buxheti për blerjen e energjisë elektrike. Ai ka kërkuar që të informohen se si janë zhvilluar procedurat e prokurimit për këtë çështje.
Tahiri: Kërkesa jonë ishte që të hidhet dritë mbi shpenzimet e 200 milionë eurove
“Gjatë kësaj periudhe nga institucionet e Kosovës, taksa të qytetarëve janë shpenzuar afër 200 milionë euro. Më saktësisht, rreth 200 milionë euro që nuk e dimë numrin e saktë të tyre dhe pikërisht kërkesa e grupit parlamentar edhe partive tjera opozitare, ishte që të hidhet dritë mbi shpenzimet e këtyre taksave të qytetarëve se si janë menaxhuar, ku kanë shkuar, kush ka përfituar nga to, kush kanë qenë kompanitë të cilët kanë blerë rrymë në emër të Kosovës, e kështu me radhë”, shtoi ai.
Si grup parlamentar, Tahiri tha se nga institucionet po kërkojnë përgjigje për shumë çështje. Për të janë absurde deklarimet e ministrave të Qeverisë Kurti.
Tahiri: Qeveria Kurti me votë ndaloi debatin për aferë korruptive
“Pra, unë mendoj që sot qeveria Kurti ka hapur një debat për një aferë shumë të madhe. Për një aferë korruptive të cilën sot u munduan me votë ta ndalojë. Mirëpo, opozita ka edhe instrumente të tjera për ngritjen e këtij komisioni. Siç e dini Ligji për Hetim Parlamentar i lejon opozitës që të themelojë një komision hetimor të tillë me 40 nënshkrime. Prandaj, ne si grup parlamentar i PDK-së do të iniciojmë sa më shpejt që çdo keqpërdorim që ka ndodhur pikërisht nga Qeveria Kurti, nga ministrat dhe nga institucionet siç është ZRrE-së, që është tashmë veç instrument i Qeverisë Kurti, do të hedhim dritë dhe mendoj që këtu kemi ministra përgjegjës të cilët kanë kryer vepër penale. Këtu kemi njerëz përgjegjës të cilët kanë abuzuar me pozitat e tyre dhe të cilët pa dyshim që ky komision hetimor do t’i nxjerrë para drejtësisë dhe do t’i nxjerr të gjitha keqpërdorimet, abuzimet që kanë ndodhur gjatë këtyre tre muajve”, ka deklaruar ai.
Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri shtoi se presin që bashkë me grupet tjera parlamentare ta procedojnë për votim në mënyrë që të themelohet ky komision hetimor.