Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka përkujtuar sot masakrën e Izbicës, ku forcat serbe masakruan 147 shqiptarë të pafajshëm mes tyre foshnje të porsalindura, gra, pleq e të rij.
Në një postim në Facebook, Konjufca ka përkujtuar edhe masakrat në Beleg të Deçanit, dhe fshatrave tjera përreth, si Drenoc, Gjllogjan e Irzniq, u vranë, u masakruan dhe u zhdukën me dhunë mbi 66 shqiptarë.
Ai përkujtoi edhe 19 anëtarët e familjeve Bogujevci, Duriqi, Llugaliu e Gashi nga Podujeva, si dhe 21 martirët e Matiqanit të Prishtinës.
Postimi i plotë:
Dita e festës së Bajramit e 28 marsit 1999 u kthye në ditë lemerie dhe kobi. Në Izbicë të Skenderajt, forcat pushtuese serbe i masakruan 147 shqiptarë të pafajshëm, në mesin e tyre edhe foshnje të sapolindura, gra, pleq e të rinj.
Po atë ditë dhe më 29 e 30 mars në Beleg të Deçanit dhe fshatrave përreth, Drenoc, Gjllogjan e Irzniq, u vranë, u masakruan dhe u zhdukën me dhunë mbi 66 shqiptarë. Trupat e disa prej tyre ende nuk janë gjetur.
Le t’i kujtojmë me pikëllim dhe krenari edhe 19 anëtarët e familjeve Bogujevci, Duriqi, Llugaliu e Gashi nga Podujeva, si dhe 21 martirët e Matiqanit të Prishtinës, të cilët u vranë po më 28 mars të vitit 1999.
Për këto krime të gjenocidit të Serbisë mbi popullin tonë ende nuk ka drejtësi. Kurse Serbia udhëhiqet nga një person i cili para një jave tha se Milosheviqi nuk ka bërë asnjë krim!
I përjetshëm qoftë kujtimi për të gjithë të rënët për lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës!