4.7 paga mesatare kanë paguar qytetarët në vend për blerjen e remdesivirit gjatë pandemisë. Kështu thuhet në gjetjet e auditimit të performancës, i cili u prezantua në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike. Me këtë nuk është pajtuar drejtori i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi, i cili ka deklaruar se asnjëherë nuk është përshkruar përdorimi i remdesivirit për 14 ditë. Në raportin e auditimit të performancës "Optimizimi i resurseve njerëzore dhe pajisjeve teknike mjekësore për t'iu përgjigjur nevojave të pacientëve me COVID-19", thuhet edhe se qytetarët kanë blerë barna që janë pjesë e listës esenciale.
Një gjë të tillë e tha edhe kryetarja e këtij komisioni, Hykmete Bajrami, e cila bëri të ditur se raportet përfshijnë periudhën prej fillimit të pandemisë deri në qershor të vitit 2021.
Bajrami: Gjetjet e auditorit nuk janë të mira
"Gjetjet e auditorit nuk janë edhe aq të mira. Kemi parë që pengesa kryesore është mungesa e funksionalizimit të plotë të Sistemit Informativ Shëndetësor dhe po ashtu mungesa e komunikimit të këtij sistemi me sistemin e menaxhimit të stokut farmaceutik. Kemi vërejtur që gjatë gjithë kohës së pandemisë, institucionet të cilat janë marrë me trajtimin e pacientëve me COVID, janë përballur me mungesë të barnave. Në shumë raste këto barna është dashur që t’i blejnë pacientët vet, kanë qenë qoftë edhe të shtruar në spital si në QKUK, në Klinikën Infektive, në Spitalin e Pejës, Prizrenit dhe gjithashtu nuk ka asnjë informacion të saktë sesa është sasia e barnave e cila është blerë nga pacientët”, ka deklaruar Bajrami.
E anëtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Yllza Hoti në prezantimin e raportit tha se kjo tregon punën menaxheriale, e jo punën e profesionistëve shëndetësor. Ajo ka bërë të ditur se në raport theksohet se ka pasur mungesë të personelit shëndetësor gjatë kohës së pandemisë.
Hoti: Spitalet rajonale nuk ishin konsultuar në lidhje me numrin e profilit të nevojshëm të personelit shëndetësor
"Ka pasur akte nënligjore përmes së cilave ShSKUK nuk ka mundur të rekrutojë drejtpërdrejt personale, edhe tek MSh ka qenë sfida e buxhetit. E gjetura tjetër e cila përmendet në raportin e auditimit është konsultimi mes institucioneve shëndetësore lidhur me rekrutimin e personelit të përkohshëm shëndetësor. Spitalet rajonale nuk ishin konsultuar në lidhje me numrin të profilit të nevojshëm për tu përballur me situatën pandemike, ku nganjëherë ka paraqitur vështirësi se ku të alokohen ata personel i ri i cili është dërguar. Zyra e Burimeve Njerëzore të ShSKUK-së dhe QKUK-së nuk ka pasur asnjë komunikim me MSh-në në lidhje me nevojat për personel shëndetësor dhe kjo zyre e ShSKUK-së nuk kanë informata se ku janë dërguar ky personel shëndetësor i rekrutuar përmes kontratave të përkohshme”, ka treguar Hoti.
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi theksoi se në kohën e fillimit të pandemisë ka qenë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe as atje nuk kanë qenë të përgatitur për menaxhimin e kësaj situate.
Ai tha se për një vit kanë arritur që të vaksinojnë të paktën me një dozë 70 për qind të popullatës.
Latifi: E kemi vdekshmërinë më të ultë në rajon me shëndetësinë më të brishtë
"E gjithë bota ka qenë e pa-përgatitur pavarësisht nivelit të sistemit shëndetësor dhe zhvillimit të tyre që kanë pasur. Në spitalin ku kam punuar që bëhen edhe operacione robotike dhe transplanti i zemrës, mëlçisë, zorrëve dhe pankreasit, ne nuk kemi qenë të përgatitur për këtë. Në realitet, për disa javë të tëra kemi qenë shumë të papërgatitur. Ne nuk kemi ditur se çfarë duhet të bëjmë kur të intubojmë pacientët.... (20:55) E kemi vdekshmërinë më të ultë në rajon me shëndetësinë më të brishtë në rajon. Dikush do ta studiojë këtë dhe të shkruaj raporte shkencore për gjendjen tonë”, tha Latifi para anëtarëve të komisionit.
Sa i përket menaxhimit të situatës me pandeminë, ka reaguar kryetarja Hykmete Bajrami, e cila tha se qytetarët kanë shpenzuar 4.7 paga mesatare për blerjen e remdesivirit.
Bajrami: Vetëm për blerjen e remdesivirit qytetarët kanë shpenzuar 4.7 paga mesatare
“Vetëm për blerjen e remdesivirit qytetarët kanë shpenzuar 4.7 paga mesatare. Do të thotë, kjo i ka shtyrë njerëzit duke e ditur se çfarë i pret duke shkuar për tu vaksinuar. Është mirë që qytetarët tonë kanë qenë të vetëdijshëm dhe kanë shkuar për tu vaksinuar. Thatë që e kemi numrin e vdekshmërisë dhe numrin më të vogël të infektimeve. Duhet të shikohet se sa ka qenë mesatarja prej kohës kur është shpall pandemia, se përndryshe ne sot mund ta kemi më të voglin në rajon, por ndoshta edhe në botë, por a ju kujtohet shtatori i vitit 2021 ku 450 qytetarë në Kosovën tonë të vogël e kanë humbur jetën”, ka deklaruar Bajrami.
Më pas ka reaguar edhe anëtarja e këtij komisioni nga pushteti, Mirlinda Sadiku, e cila tha se ky sistem shëndetësor është i trashëguar.
Sadiku-Bajramit: Ju keni qeverisur me Ministrinë e Shëndetësisë
"Bash politikë po bëni.
Bajrami: Këto janë të dhëna, nëse unë po them të pavërteta.
Sadiku: Ju keni qeverisur, bile ju Ministrinë e Shëndetësisë e keni qeverisur.
Bajrami: E di unë që e kemi qeverisur, nuk po ta lavdëroj Ministrinë e Shëndetësisë në qeverisjen tonë”, u tha në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike.
Për blerjen e remdesivirit ka reaguar edhe drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, Valbon Krasniqi.
Krasniqi: Remdesiviri nuk është përshkruar për 14 ditë
“Nuk jemi pajtuar as me draft e as me këtë. Nuk ka as në protokoll dhe në asnjë institucion që remdisiviri është përshkruar për 14 ditë. Ne nuk e dimë ende pse qëndron në raport që është dhënë 10 deri në 14 ditë remdesiviri. Në protokoll shkruan shumë qartë, remdesiviri jepet 5 deri në 10 ditë... Vet auditori e demanton vetveten, thotë se kanë blerë këta pacientë nëse do t’i kishin përdorur 10 ampula, nëse do t’i kishin përdorur 14 ampula kanë blerë 1425 ampulla. Unë po ju them, që asnjë pacient, as me para të veta dhe as kur është liruar remdesiviri nuk ka marrë remdesivir 14 ditë. I bëjë pyetje auditorit pse vazhdon më këmbëngulësi me lënë 14 ditë. A dëshiron që të krijosh më tepër shpenzime për pacientët... Nëse ky ekip në analiza matematikore ia ka huqur, nuk e di mandej vlerësimin subjektiv koordinimit”, ka deklaruar Krasniqi në këtë komision.
Auditorja Myrvete Gashi tha se koment të tillë nuk kanë pasur nga ShSKUK, mirëpo në dosjen për blerje, kushtet e tenderit e kanë paraparë 10 deri në 14 injeksione për një person.
Kritika ka pasur edhe anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa.
Beqa: Nuk keni bërë asnjë hap konkret, vetëm deklarime folklorike
“Jeni që një vit e gjysmë, ende një hap nuk e keni bërë, as për sigurime shëndetësore. Nuk e keni bërë asnjë hap konkret, vetëm deklarime folklorike për opinionin. Çfarë keni ndryshuar ju për këto dy mandate që i patët. Edhe në Kurtin 1 që u rrëzua, por edhe në Kurtin 2 që ndoshta e rrëzon vetën sepse nuk ka ndonjë agjendë”, ka thënë Beqa.
Debat është zhvilluar edhe pasi që ministri Rifat Latifi kërkoi që të përfundojë raportimin para komisionit, meqë siç tha ai, ka takim me donatorë. Për këtë anëtarë të komisionit thanë se kjo kohë ishte caktuar nga vet ministri i Shëndetësisë.