Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Shkumbin Demaliaj dhe analisti Sadri Ramabaja kanë debatuar ashpër në emisionin “Pressing”.
Demaliaj kritikoi qasjen e kryeministrit Albin Kurti për veteranët e luftës derisa Ramabaja nuk u pajtua me këtë.
“Njerëzit në partinë e tij (VV) iu kanë nënshtruar atij në politikat e tij. Edhe veteranët që munden me qenë aty (VV) e kanë duruar këtë ofendim që ua bënë ai për çdo ditë. Askush s’po flet, krejt ata ministra, krejt ajo qeveri, askush s’po flet. Janë të nënshtruar ndaj zotit Kurti”, tha Demaliaj.
“Krejt politikën e jashtme, Ministrinë e Punëve të Brendshme e ka organizuar tash për të goditur vetëm edhe një vlerë që i ka mbet pa e goditë, pa e ofenduar deri tash, UÇK’në, por nuk mundet se ai nuk i njeh UÇK’në”, tha ai.
“Këto fyerjet që i bën ti i quajnë të pavend e pa kohë”, ndërhyri Ramabaja.
“Cilën fyerje”, ia ktheu anëtari i AAK’së.
“Ky fjalor nuk të nderon si luftëtar më së pari, si ish-i plagosur dhe si jurist edhe më pak”, vazhdoi Ramabaja.
“Unë nuk po e bëj këtë me fituar ndonjë nder më 2022 për me marrë ndonjë meritë publike. Po e flas një të vërtetë”, tha Demalija.
“Këta duhet të kërkojnë falje për atë se si kanë vepruar. Ky thotë 43 mijë vetë, ne e kemi regjistrimin prej 61 mijë, një proces gjyqësor ka nisur atje, në qershor 1999 ka qenë lista e dorëzuar te komandant Çeku e në maj të vitit 2005 në zyrën e kryeministrit i kemi pasur listat prej diku 17 mijë e 200”, tha Ramabaja.
“Mund ta kesh kundërshtar politik por nuk i thuhet Kurtit po rren sepse s’të ka rrejt kurrë”, shtoi ai.