Jo shpeshherë akuzat e rënda mes politikanëve në Kosovë përfundojnë në padi për shpifje. Por, atëherë kur përfundojnë si lëndë në gjykatë, politikanët e Kosovës përgatiten të kërkojnë dëmshpërblime të majme.
Një kërkesë të tillë, me pretendimet se i është dëmtuar imazhi, e hodhi në një padi edhe deputeti Xhavit Haliti kundër kolegut të tij në kuvend, Haki Abazit të Lëvizjes Vetëvendosje.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, po kërkon 200 mijë euro nga Abazi me pretendimin se ish-zëvendëskryeministri i Kosovës e ka ndërlidhur emrin e tij me vrasjet e pasluftës që kanë ndodhur në Kosovë.
Padia e Halitit kundër Abazit nuk është përballja e vetme në gjykata, për lëndë civile, mes politikanëve.
Një lëndë tjetër, e cila po trajtohet në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është dorëzuar nga deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, kundër ministrit të Qeverisë së Kosovës, Faton Pecit, tre muaj më parë.
Padisë së deputetes kundër ministrit, i parapriu një debat i ashpër mes tyre në Komisionin Parlamentar për Bujqësi.
Vitin e kaluar edhe ish-ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Astrit Haraqija u padit për shpifje nga kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AKR), Behhgjet Pacolli.
Një padi pa kërkesë për dëmshpërblim, e dorëzoi në gjykatë tri vjet më parë Albin Kurti. Të paditur ishin ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentari Kadri Veseli.
Padinë, Kurti e dorëzoi në gjykatë bashkë me Glauk Konjufca. Denoncimi i krerëve të LVV-së ndërlidhej me deklarimet e Thaçit e Veselit për organizatën “Syri i Popullit”.
Deklarimet e dyshimta të Thaçit e Veselit kundër Kurtit e Konjufcës
Më 25 prill të 2019-s kryeministri i tanishëm Albin Kurti, në atë kohë në cilësinë e kryetarit të VV-së, si dhe Glauk Konjufca, kishin dorëzuar kallëzim penal ndaj tashmë ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryekuvendarit Kadri Veseli.
Në konferencën për media të mbajtur në atë kohë Kurti kishte deklaruar se në seancën e cila është mbajtur me 28 dhjetor 2019, për rastin ‘Syri i Popullit’, Thaçi dhe Veseli nën betim kishin shpifur për të, për Glauk Konjufcën dhe Sadri Ramabajën.
Kurse, Konjufca kishte deklaruar në atë kohë se Thaçi e Veseli kishin zgjedhur që përmes drejtësisë ta godasin kundërshtarin politik.
Ndërkohë, që mbrëmë Glauk Konjufca ka deklaruar se po të mos ishte zbardhur rasti i njohur si “Syri i Popullit”, i njëjti sot do të mund të ishte në burg.
Padia e Behgjet Pacollit ndaj Astrit Haraqisë dhe anasjelltas
Në shkurt të 2016-ës kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka paditur për shpifje ish-ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Astrit Haraqia. Këtij të fundit Pacolli ia kërkon 120 mijë euro kompensim dëmi për shpifje dhe fyerje.
Sipas padisë së ushtruar, Pacolli ka pretenduar se Haraqia, përmes dy statuseve të shkruara në Facebook në vitin 2016, ka bërë ofendim publik duke përdorur shpifje dhe fyerje në dëm të tij.
“Kuku Plaki M…. a je konë pushtet nja 4 vite, ose pse spo shkon në Beograd me aeroplan si 1998 që shkojshe negociata me Millosheviqin për mi dorzu Kosovën”, kishte shkruar Haraqia më 2016.
Në një status tjetër, Haraqia kishte akuzuar Pacollin për implikim në rastin e vrasjes së Jusuf Gërvallës, veprimtarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Po masi po flasim për hetime e implikime në krime, po du me pyet Behgjet Pacollin, qysh ja shpjegon shqiptarëve e familjarëve që vetura e regjistruar me emër të Behgjet Pacollit, me të cilën është kry krimi ndaj Jusuf Gërvallës me shokë, mbahet si dëshmi në Policinë e Gjermanisë?”, ka shkruar Haraqia.
Gazeta pas riaktualizimit të kësaj çështje tetorin e vitit të kaluar kishte kontaktuar me ish-ministrin Haraqia, i cili kishte deklaruar se nuk tërhiqet nga deklarimet dhe akuzat e ngritura ndaj Pacollit.
“Unë i qëndroj mbrapa deklarimeve të mia ndaj Pacollit dhe nuk tërhiqem nga ato deklarime. I qëndroj prapa edhe deklarimit për veturën e regjistruar në emër të Behgjet Pacollit, sepse e kam parë atë veturë BMW në Gjermani”, kishte deklaruar tetorin e vitit të kalaur Haraqia.
Haraqia ka shtuar se më 2014 ka ushtruar edhe ai padi për shpifje kundër Pacollit, për deklarimet e ish-kryediplomatit të Kosovës në lidhje me rastin e aferës “Grand”.
Më 2014, Pacolli e kishte akuzuar Haraqinë se ia kishte kërkuar 3.6 milionë euro për t’i ndihmuar atij në çështjen e privatizimit të Hotelit Grand në Prishtinë. Haraqia i tha sot Paparacit se Pacolli nuk ka asnjë provë për të mbështetur deklarimin e tij. Ka thënë se ka shpifur ndaj tij.
“Dy vite para se të bëhej kjo padi, unë kam ngritur një padi ndaj tij për deklarimet e bëra në rastin e Grandit kinse unë ia kam kërkuar katër milionë euro. Ai nuk ka asnjë provë për të mbështetur deklarimin e tij”, ka thënë ai.
Asokohe zëvendëskryeministër, më 2014 Behgjet Pacolli dhe biznesmeni Remzi Ejupi kishin dhënë emrat e Ukë Rugovës, Astrit Harasqisë, Naser Osmanit dhe Gazmend Abrashit si sekserë të Dino Asanajt, ish-shefit të ndjerë të AKP-së, të cilët kanë kërkuar katër milion euro për Grandin.
Ejupi kishte incizuar një bisedë me Abrashin të cilën e kishte dorëzuar në polici. Të akuzuarit kishin mohuar kategorikisht akuzat.
Padia e Ganimete Musliut ndaj Faton Pecit
Më 30 dhjetor të 2021-ës deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka paditur për shpifje Ministrin e Bujqësisë, Faton Peci.
E deri tek kjo padi kishte ardhur pas një debati të ashpër që kishte ndodhur mes Pecit dhe Musliut në Komisionin Parlamentar për Bujqësi.
Musliu pas dorëzimit të padisë para mediave ka deklaruar se ka përfunduar koha kur ministrat e pandërgjegjshëm për të mbuluar paaftësinë e tyre hedhin sulm ndaj deputetëve.
Musliu nuk kishte bërë shumën që kishte kërkuar nga ministri Peci.
Ndërkohë, që ministri Peci, pas kësaj padie kishte deklaruar se nuk mendon t’i përgjigjet me kundërpadi, deputetes Musliu. Gjithsesi, sipas tij një kundërpadi nuk përjashtohet nëse vazhdojnë kërcënimet e kësaj forme.
Padia e Xhavit Halitit ndaj Haki Bazit
Nënkryetari i PDK-së, Xhavit Haliti ka paditur deputetin e VV-së, Haki Abazi për shpifje. Haliti nga Abazi ka kërkuar 200 mijë euro dhe kundër të njëjtit ka propozuar edhe masë sigurie.
Siç u raportua gjatë ditës së sotme përfaqësuesi i Halitit, avokati Gent Spahija, kishte deklaruar se është kërkuar caktimi i masës së sigurisë, përmes së cilës Abazit i ndalohet publikimi i çfarëdo deklarate, prononcimi, njoftimi ose informacioni në lidhje me veprimtarinë e Halitit.
Avokati Spahija tha se propozimi për caktimin e masës së sigurisë është i nevojshëm pasi që konsiderojnë se Abazi do të vazhdojë të bëjë shpifje ndaj Halitit.
Ai si dëshmi për këtë kishte përdorur edhe deklaratat që Haki Abazi kishte thënë në emisionin “Prime Time”. Abazi në këtë emision kishte deklaruar: “sot e them dhe do e them gjithmonë”, gjë që sipas avokatit njëjti ende mund të tentojë të diskreditojë reputacionin e paditësit Haliti.
Haki Abazi në seancën dëgjimore të mbajtur sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka deklaruar se limitimi i këtyre të drejtave është cenim i demokracisë dhe të drejtës së medieve për të shkruar dhe ngritur çështjet e rëndësishme për shoqërinë.