Raci: Kosova s’i ka ndaluar zgjedhjet serbe, por ka kërkuar qasje të re në organizim

Aktuale

Raci: Kosova s’i ka ndaluar zgjedhjet serbe, por ka kërkuar qasje të re në organizim

Më: 31 mars 2022 Në ora: 21:53
Gazmir Raci

Analisti politik, Gazmir Raci, ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk e ka ndaluar mbajtjen e zgjedhjeve serbe në vend, por vetëm ka kërkuar qasje të re në organizimin e tyre.

Ai tha se modeli i propozuar nga vendet e QUINT-it është model që është përdorur në të kaluarën, dhe tani sipas tij, Kosova e ka një qeveri që atë model nuk e ka pëlqyer dhe e ka instaluar një të ri.

Referuar deklaratës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për refuzimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe me propozimin e Kosovës, Raci tha se kjo nuk do të ishte hera e parë që Serbia e njeh de-facto Kosovën.

“Në qoftë se Serbia de-facto e njeh Kosovën e ka njohur edhe në marrëveshjet në Bruksel të nënshkruara. Nuk është gjë e re, sepse ka dokumente që të dy kryeministrat kanë nënshkruar në të njëjtën letër”.

“Nuk mendoj se perspektiva evropiane e Kosovës mund të cenohet me një deklaratë të tillë. Kërcënim më të madh ndaj perspektives evropiane të Kosovës nuk ka mundur t’i ndodh më shumë se atëherë kur është dashtë të zhbëhet Gjykata Speciale n’12 të natës. Ai ka qenë kërcënimi më i madh”, është shprehur Raci.

Tutje, ai e konsideron si absurde reagimin e zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, për çështjen e suspendimit të gjykatëses serbe.

“Unë kam pritur që BE-ja të reagojë se si drejtësia po kyçet në politikë. Ne si Kosovë jemi kritikuar për vite të tëra se si politika po përshihet në drejtësi e tash del zëdhënësi i BE-së e thotë se ‘si e suspenduat gjykatësen se ka qenë në kundërshtim me marrëveshjen”.

“Marrëveshja nuk e parasheh që gjykatësja të shkojë të takohet me kryeministrin e Serbisë. Në momentin kur gjykatësja e ka marr dekretin nga ish-president, ajo i nënshtrohet ligjeve të Kosovë dhe ligjet e Kosovës thonë se sistemi jonë i drejtësisë është i pavarur”, ka thënë Raci.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat