Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka pritur sot në takim ambasadoren e Izraelit në Prishtinë Tamar Ziv, të cilën e ka uruar për detyrën e re.
Nagavci ka thënë se vendosja e marrëdhënieve diplomatike dhe lidhjet historike mes shqiptarëve dhe hebrenjve inkurajojnë për forcimin e bashkëpunimit sidomos në fushën e edukimit dhe arsimit.
“Qeveria e Kosovës e ka vënë në prioritetet e saj gjithëpërfshirjen dhe cilësinë në arsim dhe po punojmë për jetësimin e planeve tona. Por, partnerët zhvillimorë dhe bashkëpunimi me shtete të zhvilluara si Izraeli, janë të një rëndësie të veçantë.
Në këtë drejtim, me ambasadoren Ziv, ndamë mendimin e përbashkët për të thelluar bashkëpunimin në arsim dhe në këtë mënyrë të vazhdojmë t’i japim jetë edhe më shumë miqësisë së vjetër të popujve tanë”, ka shkruar Nagavci në Facebook.