Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka thënë se nisma Ballkani i Hapur shkel marrëveshjet e Berlinit.
Ajo në një emision ka thënë se Kosova nuk do të pranojë të bëhet pjesë e kësaj nisme.
“Ne nuk e shohim nevojën që të krijohet një nismë e re, e cila në fakt krijon një vonesë për procesin e integrimit evropian dhe nuk e trajton Kosovën si shtet të barabartë dhe sovran, prandaj ne nuk kemi nevojë që apetitet hegjemoniste të Serbisë t’i ushqejmë. Mendoj se kjo iniciativë tashmë është e dështuar. Kosova nuk i bashkohet dhe as disa shtete tjera të rajonit”, ka thënë Osmani.
Ajo ka thënë se nuk e di pse Shqipëria mbështet një nismë ku Kosova nuk trajtohet si shtet sovran.
“Për mua është e pakuptueshme pse një gjë e tillë përkrahet nga Shqipëria. Ne i kemi dhënë argumentet tona që një kohë të gjatë. Pse po vazhdojnë ta përkrahin një nismë të tillë, është pyetje që duhet t’i bëhet Shqipërisë”, tha Osmani.
Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia emërtuan nismën për bashkëpunim midis vendeve të Ballkanit Perëndimor Ballkani i Hapur.
Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovinës mbajnë qëndrimin se nuk bëhen pjesë e nismave që mund të shihen si alternativë e rrugës së tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian.