Këshilltarja e presidentes Vjosa Osmani ka reaguar ndaj deputetes së PDK-së, Eliza Hoxha, për kritikat e saj ndaj Osmanit, duke thënë se ajo mund të komplimentohet vetëm për dukjen.
Donjeta Miftari përmes një postimi në Facebook, ka thënë se presidentja karakterizohet me guxim, mbrojtje të interesit, fakte dhe shpenzim efektiv, efikas e transparent, përcjell Bota sot.
Ajo ka thënë se është për keqardhje qasja seksiste në shoqërinë tonë dhe fakti që e njëjta amplifikohet tutje nga disa gra në politikë.
Ajo e ka quajtur trishtuese përpjekjen për të reduktuar fuqinë e presidentes në pamjen e saj.
Postimi i saj i plotë:
GUXIMI për t’i vënë pikë të keqes e për ta stopuar korrupsionin, keqpërdorimin e pazaret me territorin e Kosovës.
MBROJTJA E INTERESIT të qytetarëve me vepra e jo me fjalë boshe.
FAKTET para lajmeve të rrejshme me tendenca manipuluese e destabilizuese.
SHPENZIMI efektiv, efikas e transparent.
Kjo është Presidentja Osmani.
...dhe dy fjalë për seksizimin që gufon në çdo pore të disave që fshihen pas maskës kinse progresive: kur e keni bërë një koment për pamjen e një burri, burri politikan, në veçanti?!
Është për keqardhje qasja seksiste në shoqërinë tonë dhe fakti që e njëjta amplifikohet tutje nga disa gra në politikë.
Për fund, nëse dikush ka pikëpamje për qëndrimet politike të Presidentes, jemi me fat që jetojmë në një demokraci të hapur ku këto mendime mund të shprehen publikisht. Por përpjekja për të reduktuar fuqinë e Presidentes në pamjen e saj është trishtuese dhe indikator i infantilitetit në politikën ditore në vend.