Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lista Guxo, Haxhi Avdyli, i ka dalë në mbrojtje presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, të cilët së fundmi janë kritikuar ashpër nga deputetët e opozitës.
Avdyli, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se opozitarët janë të dëshpëruar nga humbja e përkrahjes së qytetarëve dhe se të njëjtët “po reagojnë veç sa për të reaguar”, përcjell Bota sot.
Sipas tij, transparenca institucionale, lufta ndaj korrupsionit, ndalimi i zhvatjes së parasë publike e tenderomanisë po i tmerron keqpërdoruesit e 20 viteve të kaluara.
Reagimi i tij në Facebook:
Derisa në Ukrainë mbrohet jo vetëm humanizmi e demokracia, po zmbrapset me armë makina ushtarake vrasëse Ruse por edhe ambicia hegjemoniste Serbo Ruse në Ballkan e më gjerë.
E opozitarët tanë të dëshpëruar nga humbja e përkrahjes së qytetarëve, me meshkuj të lodhur, pa tenderë ku s’ka as zhvatje të parasë publike, po reagojnë veç sa për të reaguar e pa sens.
Deputetë bashkë me argatët e tyre në debate televizive vazhdojnë të flasin pa argumente, shajnë, shpifin e fyejnë, jo vetëm bazuar në qëndrime politike por shkojnë deri aty sa përçmojnë edhe pamjen, veshjen e bartëseve institucional.
Sot çdo qytetar, votues e jo votues i yni janë krenar me prezantimin e punën e Presidentes e Kryeministrit, me përfaqësimin e tyre dinjitoz para miqve e përballë armiqve.
Transparenca institucionale, lufta ndaj korrupsionit, ndalimi i zhvatjes së parasë publike e tenderomanisë po i tmerron keqpërdoruesit e 20 viteve të kaluara saqë po i shtyn të imagjinojnë tema të pakuptimta bazuar në shpifje e fyerje.
Të njëjtës mendësi fyese si ajo Agim Veliut e Ardian Kastratit , qytetari ua ka treguar vendin me 14 shkurt 2021, e do ju vërtetohet qartë edhe njëherë partive të tyre në zgjedhjet e ardhshme që do mbahen në shkurt të vitit 2025.