“Hajde dreq e na ndreq” – dikur i vuri këtë titull, një shkrimi autorial, pasi Mehmet Hajrizi nuk arriti ta bëjë Qeverinë e Unitetit, kur më 1998, nga bashkësia ndërkombëtare, respektivisht Richard Holbrooke dhe Christopher Hill, ishte propozuar si mandatar për formimin e Qeverisë së unitetit.
Por, një gjë e tillë nuk u bë, pasi sipas Hajrizit, që ishte në emisionin Sytë 7, kishte përçarje të subjekteve politike të Kosovës dhe përfaqësuesve të UÇK-së.
E i pyetur se a duhet të vije “dreqi” përsëri që t’i bashkoj subjektet e politikanët e sodit, Hajrizi, tha se duhet të ndreqen politikanët sidomos në temat e mëdha politike, e në raport me Serbinë.
Për veprimtarin e çështjes shqiptare, Mehmet Hajrizi, pak ditë më parë u organizua një akademi mirënjohjeje. E i njëjti, në Sytë 7 tha, se pranoi që t’i bëhet kjo Akademi me hezitim, pasi në Kosovë u bëhen akademi vetëm pas vdekjes, gjë që nuk do duhej të ishte si rregull. Hajrizi tha se ka qenë i burgosur nga regjimi jugosllav për 12 vite. Derisa nga burgu kuptoi edhe për vrasjen e bashkë aktivistëve, Kadri Zekës dhe vëllezërve, Jusuf e Bardhosh Gërvalla. Hajrizi ishte udhëheqës i “Grupi Revolucionar i Kosovës”, i formuar në vitet e 70-ta, e po ashtu më 1998, ishte njëri nga themeluesit e Lëvizjes Demokratike Shqiptare, më vonë Lëvizja e Bashkuar Demokratike (LBD), në emër të së cilës ishte në delegacionin e Kosovës në Rambuje.
Mehmet Hajrizi, ishte edhe zëvendëskryeministër në Qeverinë e përkohshme, derisa tha se njerëzit me një të kaluar të tillë, që ka shumë aktivistësh tjetër, duhet të kontaktohen nga institucionet aktuale, që të paktën të këshillohen, se mbase mund të ndihmojnë në tema të mëdha.