Demant nga Presidenca, Osmani nuk e injoroi të moshuarin në Gjilan

Aktuale

Demant nga Presidenca, Osmani nuk e injoroi të moshuarin në Gjilan

Më: 7 prill 2022 Në ora: 15:50
Vjosa Osmani gjatë vizitës në Gjilan

Zyra e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj kronikave të disa televizioneve nga të cilat u mbulua vizita e saj në Gjilan, të mërkurën.

Aty thuhet se demantohet raportimi lidhur me refuzimin e saj për të ndarë disa minuta bisedë me një të moshuar që e priste për t’i thënë diçka.

Për ta dëshmuar versionin e vet, Presidenca ka dërguar edhe një video-incizim.

“Në një storie të publikuar në Klan Kosova dhe T7, dhe të ritransmetuar nga disa të tjera, pretendohet që Presidentja Osmani gjatë vizitës në Gjilan e ka injoruar një të moshuar. Siç shihet në videoincizim, Presidentja është përshëndetur me të moshuarin, prandaj, tendenca për ta paraqitur këtë situatë si ’anashkalim’, është devijim i qëllimshëm i një të vërtete”, thuhet në demant.

Demanti vazhdon: “Presidentja Osmani gjatë vizitës në Gjilan është takuar me dhjetëra njerëz të profileve të ndryshme, ndaj ky ‘raportim’, nuk mund të shihet ndryshe, përpos si tendencë e mediave për dëmtim të imazhit të Presidentes. “Për më tepër, ekipi i Presidentes e ka takuar veçmas të moshuarin, i cili ka pretenduar t’i ketë disa “sekrete shtetërore për luftën ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë”, të cilat dëshironte t’ia prezantonte Presidentes”, thotë Presidenca në demant. Presidenca më pas pohon se vazhdon të jetë e hapur për bashkëpunim me mediat për raportim korrekt dhe të mbështetur në parime profesionale.

Bashkëngjitur e keni videoncizimin ku shihet Presidentja Osmani teksa përshëndetet me të moshuarin.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat